Rama: Me Metën ulem për çdo temë, përveçse caktimit të datës së zgjedhjeve sipas një Kushtetute imagjinare

0
274

Takimi në Këshillin Kombëtar të Integrimit duket se ka qenë i fundit mes kryeministrit Rama dhe presidentit Ilir Meta për proceset integruese të vendit.

Edhe pse të dy kanë shprehur gatishmërinë për tu takuar për këtë temë, Rama tha se nuk i ka adresuar ndonjë ftesë Presidentit për këtë çështje, pasi siç tha ai integrimi nuk është muhabet.

Por derën e la të hapur për çdo temë, mjafton shtoi ai, që Meta mos ta thërrasë për të vendosur një date zgjedhjesh sipas një Kushtetute imagjinare.

Edi Rama: Integrimi nuk është muhabet. A e kam ftuar presidentin këto ditë të flasim për integrimin? Jo, nuk kam pasur ndonjë orë për muhabet. Integrimi është një proces, ka një hartë veprimi, stacione, ura ndërveprimi. Në këtë drejtim mund të them se po kemi qenë sëbashku në tryezën e këshillit kombëtar të integrimit dhe unë do të jem në çdo stacion dhe pikë ku është e nevojshme prania ime dhe presidenti do të bëjë zgjedhjen e tij. Përderisa ka qenë me siguri do të jetë përsëri. Në këtë drejtim do ta shikoja këtë që kam shprehur si gatishmëri. Patjetër në çdo rast ku është nevojshme për tu ulur do të ulemi dhe në çdo rast që presidenti e ka të nevojshme të komunikojë me mua për integrimin apo për çdo temë tjetër, mjafton që të mos jetë vendosja e një date zgjedhjesh sipas një Kushtetute imagjinare, unë jam i gatshëm që të ulem.

I pyetur se kur mendon se do të mbahet konferenca ndërqeveritare për hapjen e negociatave, Rama ju referua përvojës personale kur tha: “Asnjëherë mos nxir data kur flitet për BE.”

Edi Rama: Mos vër asnjëherë data me BE. Është dashuri që nuk materializohet në një martesë ku datën e cakton më i vogli. Janë ata që i vendosin datat, jana ata që i ndryshojnë, i shtyjnë datat. Boll i bëmë dy dasma gati dhe nuk ka erdhën krushqit se kishin hallet e tyre. Nuk kishte lidhje fare me Shqipërinë shtyrja e dasmës, por kishte lidhje me ata. Konferenca do të bëhet kur të vendosin ata, ne duhet të bëjmë detyrat. Detyrat nuk i bëjmë për konferencën por se janë gjëra që duhet ti bëjmë për vendin dhe mirëfunksionimin e institucioneve. Nuk kanë kërkuar ata të integrohen në Shqipëri por jemi ne që kemi kërkuar të integrohemi në familjen e tyre. Ky është një proces me një interes të madh reciprok, nuk e di kur do të jetë data. Një ide e kam se kur mund të jetë por asnjëherë mos nxir datë kur flet për BE, mësojeni nga eksperienca ime këtë gjë. Kur ata thonë në vjeshtë, ti mendoji të katër stinët që të jesh në rregull. Përgatitu për kostum vjeshte, me çadër, përgatitu për tërmet, përgatitu për pranverë ose qoftë dhe me rroba banjo në 45 gradë se nuk i dihet. Ata i vënë datat, ata i ndryshojnë datat. Është shtëpia e tyre, nuk është akoma shtëpia jonë.

Deklaratat Rama i bëri gjatë prezantimit të Kryenegociatorit për Zhvillimim e Negociatave për antarësimin e Shqipërisë në BE, Zef Mazi, i cili vetëm dje ka marrë fizikisht detyrën për shkak të mbylljes së kufijve.

Mazi foli edhe për raportin me Presidentin, ku ky i fundit kishte kërkuar një kryenegociator konsensual.

Zef Mazi: E fillova këtë post pas vendimit të qeverisë në distancë për shkak të Covid. Lëvizjen në Europë filluan pardje dhe dje është dita e parë e punës këtu në zyrë. Me Presidentin e Republikës unë njihem, e kam pasur dhe kryeministër dhe ministër të jashtëm dhe ai më njeh. E vlerësoj çfarë ka thënë për profesionalizmin tim. Bashkëpunimi me Presidentin do të jetë në mënyrë konstante, është pjesë e isntitucioneve kryesore që drejtojnë shtetin tonë dhe unë do të mbaj kontakte me të. Nuk kam pasur mundësi fizike të konstatoj me të por do të jetë në 2-3 ditët e  para të punës sime, nesër, ditën e hënë, në varësi të orarit që ka Presidenti. Lidhur me pikat e Presidentit, detyra ime nuk është të komentoj por të zbatoj mandatin si kryenegociator.

oranews