Kryeministri Edi Rama ka mbledhur paraditen e sotme grupin e ri parlamentar në pritje të nisjes së seancës së parë në Kuvend të premten.
Një e nga një deputetët socialistë kanë mbërritur në selinë rozë që prej orës 08:00 të mëngjesit të sotëm dhe diskutimet pritet që të fokusohen te legjislatura e re dhe programi qeverisës i të majtëve.
Mbledhja e grupit vjen pas mbledhjes së asamblesë, ku PS zgjodhi kryesinë e re dhe sekretarët, ndërkohë që Rama prezantoi qeverinë e re që do të drejtojë vendin në katër vitet e ardhshme.
Postet e reja brenda qeverisë dhe partisë sollën dhe disa pakënaqësi në radhët e socialistëve, ku Taulant Balla mbeti jashtë kabinetit pavarësisht se është deputeti më i votuar, ndërkohë që Erion Braçe po ashtu e sheh veten jashtë çdo funksioni.
PS fitoi 74 mandate në zgjedhjet e 25 Prillit, ndërkohë që seanca e parë në Kuvend të premten do të drejtohet nga Luljeta Bozo e cila është dhe e zgjedhura më e vjetër që do të ulet në karriget e parlamentit.
Drejtimi i Kuvendit i është besuar Lindita Nikollës, ndërkohë që qeveria e re e Ramës ka pak ndryshime nga ajo aktuale sa i takon ministrive më të rëndësishme në vend.
(E.K/Faxweb.al)