Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër pas ngjarjes së rëndë të ndodhur mbrëmjen e djeshme në Vlorë, ku një efektiv i Policisë së Shtetit, jashtë shërbimit, dhunoi fizikisht një kamarier të mitur në ambientet e një lokali.Sipas reagimit të tij zyrtar, pezullimi nga detyra i efektivit të Policisë Kufitare Dibër, Ardian Isufi, është vetëm masa e parë dhe duhet të pasohet nga përjashtimi i tij i pakthyeshëm nga radhët e policisë, si dhe dorëzimi në duart e drejtësisë sapo të dalë nga spitali.
Reagimi i Ramës:
Pezullimi nga detyra i efektivit të Policisë së Shtetit Dibër, që jashtë shërbimit ka marrë pjesë në një konflikt të shëmtuar fizik në Vlorë, është vetëm masa e parë që duhet të pasohet nga përjashtimi i këtij individi pa kthim në radhët e policisë, si edhe nga dorëzimi i tij në duart e drejtësisë sapo të dalë nga spitali.
Ndërkohë në pakon e masave të reja të reformës së kontrollit të territorit, janë përshirë edhe rritje të peshës së përgjegjësisë para ligjit të të gjithë punonjësve të shtetit që operojnë në kontakt më komunitetet e me qytetarët, të cilëve nuk do t’u tolerohen shkeljet e asnjë natyre që cënojnë komunitetin apo qytetarin, qoftë gjatë orëve të shërbimit qoftë jashtë orëve të shërbimit.
*Shembull: Çdo punonjës apo zyrtar i shtetit që zotëron një ngrehinë pa leje për qëllim fitimi apo që shfrytëzon një hapësirë publike për të nxjerrë fitim (përveç ndëshkimeve të njëjta për të gjithë) do të ndiqet penalisht dhe do të përjashtohet nga detyra pa të drejtë kthimi në një punë në sektorin shtetëror për një numër të konsiderueshëm vitesh👊