Kryeministri Edi Rama ka reaguar për herë të parë për pezullimin e Belinda Ballukut si ministre dhe si zv.kryeministre nga SPAK
Nga konferenca e përbashkët me komisioneren për Zgjerim Marta Kos, kreu i ekzekutivit tha se qeveria mbështet pavarësinë e gjyqësorit, si një shkëputje historike nga e kaluara.
Megjithatë, kryeministri tha se do të mbrojë edhe pavarësinë e qeverisë, duke e dorëzuar vendimin e pezullimit në Gjykatën Kushtetuese.
Edi Rama: Së pari, pavarësia e gjyqësorit nuk është as një slogan, nuk është as një manovër politike dhe as një eksperiment i përkohshëm, por është një shkëputje historike nga e kaluara. Dhe, e realizuar vetëm ne vitet e fundit, kjo pavarësi ka sjellë një risi absolute në jetën institucionale të Shqipërisë dhe zhvillime të padiskutueshme pozitive. Duke filluar nga një fakt i pamohueshëm, “varrosja” e kulturës 100 e kusur vjeçare të pandëshkueshmërisë, por ama ka shfaqur edhe dobësitë e natyrshme të një pushteti krejt të ri, fëmijëror për nga mosha, si dhe reflekse të vjetra antidemokratike.
Së dyti, dua të theksoj se pavarësisht dhe përtej kostove të larta që kanë për vendin dhe jo thjeshtë për ne këto reflekse të vjetra antidemokratike të trupave të reja speciale, për ne dhe për mua personalisht, mbrojtja e pavarësisë dhe ruajtja e pavarësisë së sistemit të drejtësisë janë parakushte. Janë parakushte për çdo qëndrim nga ana jonë, sepse siç thotë edhe një fjalë e mençur që mua më pëlqen shumë; “kurrë nuk duhet hedhur fëmija bashkë me ujin e pistë”.
Dhe këtu vij tek e treta, pezullimi nga detyra e një ministri në këtë rast edhe zëvendëskryeministër, pra drejtpërdrejtë përgjegjës për drejtimin e qeverisë në mungesë të kryeministrit, është një tjetër shfaqje e pikërisht atyre dobësive që përmenda më lart, e një pushteti krejt të ri dhe e reflekseve antidemokratike, që po përmenda po ashtu më lart. Ky është një rast unikal në historinë e Evropës dhe po ashtu, edhe në historinë e trupave speciale të drejtësisë që janë krijuar në proceset e integrimit evropian të vendeve të ish-lindjes komuniste, ku s’ka ndodhur kurrë që, një prokuror dhe një gjykatës të mblidhen kokë më kokë dhe të pezullojnë nga detyra një anëtar qeverie, por dhe ky është një “por” shumë i madh, nëse një prokuror special dhe nëse një gjykatës special i shkallës së parë të Speciales këtu në Shqipëri, kanë vendosur të pezullojnë një ministër, cenim i drejtpërdrejtë i pavarësisë dhe funksionimit të një pushteti tjetër të pavarur siç është ekzekutivi, duke marrë kompetencat e një kryeministri, të presidentit dhe të parlamentit, prej nga buron mandati i qeverisë dhe i çdo ministri, zgjedhja jonë në raport me këtë fakt, është strategjikja si gjithmonë, për ta ruajtur dhe për ta mbështetur pavarësinë e gjyqësorit, si parakusht edhe në ketë rast ekstrem.
E thënë drejtpërdrejtë, ne nuk mund t’i përgjigjemi një arbitrariteti të këtyre përmasave me asnjë lloj arbitrariteti dhe as do të angazhohemi, largqoftë, në një betejë politike retorike me drejtësinë, por do vazhdojmë me durimin tonë strategjik. Do ta ruajmë dhe do ta mbështesim pavarësinë e gjyqësorit, do ta respektojmë pa kushte vendimin e pezullimit të ministres dhe ndërkohë, do të kërkojmë mbrojtjen e pavarësisë së funksionimit të cenuar të qeverisë vetëm tek drejtësia në Gjykatën Kushtetuese. Këta jemi ne. Ky jam unë dhe kështu do të jetë deri në fund, kur unë të kem privilegjin që të udhëheq Shqipërinë për ta bërë anëtare të BE. Mbrojtja e pavarësisë së re dhe jo të përkohshme të sistemit të drejtësisë, është prioriteti ynë absolut edhe përballë situatave kaq flagrante, sa kjo situatë për të cilën, po drejtësia duhet të gjejë përgjigjen kushtetuese.
Pezullimi është vendim i një gjykate që ne do ta përcjellim në Gjykatën Kushtetuese, si një akt brutal ndërhyrjeje në pavarësinë e Pushtetit Ekzekutiv dhe Gjykata Kushtetuese do duhet të na thotë se cili është qëndrimi i saj bazuar mbi Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Pra, nuk jemi në kushtet, kur duke ndërhyrë me forcë në pavarësinë e ekzekutivit, mund të diktohet ndonjë lëvizje e qeverisë. Kështu që, për periudhën që flasim, qeveria e Shqipërisë nuk ka zëvendës kryeministër dhe nuk ka një ministër të infrastrukturës dhe energjisë, që funksionon. Kaq!


