Nga kongresi i PS-së në Pallatin e Kongreseve kryeministri Edi Rama u shpreh se një zv. ministre u dënua me 10 muaj burg për një arkë peshk, ndërsa politikanë që kanë vrarë dhe kanë vjedhur nuk shihen nga SPAK.
Rama tha se SPAK-u vihet në lëvizje edhe nga një deklaratë partie, për këdo zyrtar të lartë, por ama jo nga deklarata non grata e SHBA-së për Sali Berishën.
Ai shtoi se SPAK-u ka detyrën që ta sqarojë nëse ka apo nuk fakte lidhur me këtë akuzë të SHBA-ve dhe të mos e lërë këtë situatë pezull.
Rama: Po kthehem tek ato 10 muaj burg për një arkë peshk për një punësim që nuk u bë. Çfarë dreqin bëhet kështu do të thonë kur janë dhjetëra të vrarët dhe të vdekurit nga politikanë që kanë emër dhe mbiemër, të cilët rrotullohen në varr në kërkim të drejtësinë pa llogaritur vjedhje kolosale që vetëm SPAK-u nuk i di, burgoset një grua për 10 kg peshk. Ndërkohë që SPAK-u vihet në lëvizje edhe nga një deklaratë partie, për këdo zyrtar të lartë, akoma nuk është vënë në lëvizje nga deklarata më e rëndë që është bërë zyrtarisht në 30 vite nga aleati më i madh strategjik i Shqipërisë, SHBA, sepse ai njeri ka drejtuar Shqipërinë.SPAK ka një detyrim. Ajo deklaratë s’mund të rrijë pezull, ose ka bazë ose s’ka. Këtë nuk mund ta thotë politika e brendshme. Duhet ta thotë drejtësia. Ajo deklaratë e mbetur pa përgjigjen e drejtësisë, për të gjithë ata që kuptojnë dy gram nga marrëdhëniet ndërkombëtare dhe që kuptojnë një gram nga pesha e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe SHBA, është gur në qafën e Shqipërisë. SPAK duhet t’ia heqë Shqipërisë këtë gur nga qafa, duke e ndarë, ka bazë apo nuk ka bazë. Që shqiptarët ta marrin mesazhin, ka bazë apo nuk ka bazë.