Shqipëria renditet në vendin e 17 në botë nga 146 shtete, në Indeksin e hendekut Gjinor të vitit 2023, të publikuar nga Forumi Ekonomik Global.
Hendeku gjinor në Shqipëri është më i ulët se të gjitha vendet e rajonit, por lë pas edhe disa vende të zhvilluara të Europës, si Italia, Danimarka apo Spanja.
Në raport me vitin e mëparshëm, Shqipëria është përmirësuar me 1 pozicion.
Shqipëria, deri tani, ka mbyllur 80% të hendekut gjinor, nga 91.2% që e ka shteti me më pak diferenca gjinore në botë, që është Islanda dhe 68.4% që është mesatarja globale.
Gratë shqiptare renditen në vendin e 18 për pjesëmarrjen ekonomike dhe mundësitë, nga vendi i 23 të një viti më parë.
Për arritjen në arsim renditemi në vendin e 33-të. Përmirësim ka edhe në treguesin për shëndetin dhe mbijetesën, duke u renditur në vendin e 133, katër pozicione më mirë se 2022.
Krahasuar me një vit më parë Shqipëria është përkeqësuar sa i përket treguesit për fuqizimin politik, duke u renditur në vendin e 28, nga vendi i 25.
“Për sa i përket peshës së grave në postet ministrore, 11 nga 146 vende, të kryesuar nga Shqipëria, Finlanda dhe Spanja, kanë 50% ose më shumë ministre femra. Megjithatë, 75 vende kanë 20% ose më pak ministre femra. Më tej, vendet e populluara si India, Turqia dhe Kina kanë më pak se 7% e ministrave që janë gra dhe vende si Azerbajxhani, Arabia Saudite dhe Libani nuk kanë asnjë”, thuhet në raport.
Në rajon, pas Shqipërisë renditen Serbia (38), Mali i Zi (69) dhe Maqedonia e Veriut (73). Kosova nuk përfshihet në indeks.
Islanda vijon të mbajë vendin e parë në botë për të 14 vit me radhë për hendekun më të ulët gjinor mes femrave dhe meshkujve, e ndjekur nga Norvegjia, Finlanda, Zelanda e Re e Suedia. (top 5)
WEF: Do të duhen 131 vjet që bota të mbyllë hendekun gjinor
Përparimi në arritjen e barazisë gjinore botërore është duke u dobësuar.
Një raport i ri nga Forumi Ekonomik Botëror (World Economic Forum, WEF), vlerëson se gratë nuk do të arrijnë barazi me burrat, edhe për 131 vjet të tjera. Me fjalë të tjera, jo deri në 2154.
Hendeku i përgjithshëm gjinor – një matje e barazisë në sferat e ekonomisë, politikës, shëndetësisë dhe arsimit – u mbyll me vetëm 0.3% krahasuar me vitin e kaluar, sipas raportit botëror të hendekut midis gjinive 2023, “Global Gender Gap Report 2023”.
“Përparimi i vakët” në mbylljen e këtyre boshllëqeve dhe treguesit e ndryshimit të barazisë në fusha të tilla si ekonomia, krijojnë një “rast urgjent për veprim të ripërtërirë dhe të bashkërenduar”, shkroi në raport Saadia Zahidi, drejtoreshë menaxhuese në WEF.
Indeksi i hendekut gjinor i WEF, mat barazinë gjinore në 146 vende dhe në katër fusha: pjesëmarrjen ekonomike dhe mundësitë, arritjet arsimore, shëndetin dhe mbijetesën dhe fuqizimin politik. Barazia e përgjithshme është përmirësuar me 4.1 pikë përqindjeje, që kur WEF publikoi indeksin në 2006.
Ndërsa raporti tregon përparim në fushat e arritjeve arsimore dhe rritje në kategoritë e shëndetit, mbijetesës dhe fuqizimit politik, hendeku i pjesëmarrjes ekonomike tregoi regres, ndërsa po bien këmbanat e alarmit e një “krize post-pandemike”, sipas raportit.
WEF vlerëson se do të duhen 169 vjet për të arritur barazinë ekonomike globale, dhe 162 vjet për barazinë politike.
Vetëm nëntë vende kanë mbyllur të paktën 80% të hendekut të tyre: Islanda, Norvegjia, Finlanda, Zelanda e Re, Suedia, Gjermania, Nikaragua, Namibia dhe Lituania.
Shtetet e Bashkuara janë në vendin e 43-të, me një rezultat barazie prej 74.8%. Shtetet e Bashkuara ranë në renditjen e përgjithshme nga viti i kaluar (kur ishin në vendin e 27-të me barazi 76,9%), si rezultat i një rënie të mprehtë të indeksit të fuqizimit politik, i cili mat hendekun midis burrave dhe grave në nivelet më të larta të vendimmarrjes politike