Raporti i INSTAT: Rriten çmimet e fruta-perimeve në krahasim me vitin e kaluar

0
284

Muaji prill ka shënuar një rritje të të gjitha çmimeve në vend, ku disa grupe të caktuara rezultojnë më të prekurat në një kohë të krizës ekonomike dhe vështirësive, me të cilat po përballen familjet shqiptare për shkak të pandemisë.

Sipas të dhënave më të fundit të INSTAT, gjatë muajit prill rritja më e lartë e çmimeve është konstatuar në grupin e zarzavateve me plot 10.2% më shumë se prilli i vitit të kaluar.

Edhe pse më pak, rritja është ndjerë edhe tek frutat, të cilat rezultojnë 4.4% më të shtrenjta, si dhe tek produkte si peshku apo qumështi.

Më pak të prekura rezultojnë çmimi i bukës me 1.8% dhe mishit me 1.2% të cilat kanë shënuar rritjen më të vogël.

Referuar raportit të INSTAT, qytetarët kanë shpenzuar gjatë muajit që lamë pas më shumë se në muajin mars për një sërë artikujsh. Rritjet vërehen në grupin argëtim dhe kulturë me 2.1%, ndjekur më pas nga komunikimi dhe ushqimet.

Nga ana tjetër, ajo që bie në sy është se të vetmet grupe ku është regjistruar ulje e çmimeve janë grupi i shëndetit, mobiljeve dhe produktet për mirëmbajtjen e shtëpisë, përkatësisht me 0.6 dhe 0.5%.  Shpesh qytetarët janë ankuar për çmimet duke i konsideruar ato tepër të larta, e në disa raste edhe të papërballueshme.

monitor