Raporti vjetor i SPAK/ Braho: Po hetojmë intensivisht zyrtarët që abuzojnë me detyrën, progres në luftën kundër korrupsionit dhe krimit

0
11

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka publikuar më 9 mars raportin vjetor për vitin 2025, ku paraqiten zhvillimet dhe rezultatet kryesore në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Sipas raportit, gjatë vitit 2025 është shënuar rritje e volumit të hetimeve penale krahasuar me vitin 2024. Në total, SPAK ka hetuar 871 procedime penale, nga të cilat 294 janë raste të reja, ndërsa 577 procedime janë të mbartura nga viti 2024.

Gjithashtu, vlera totale e aseteve të sekuestruara dhe të konfiskuara gjatë vitit 2025 ka arritur në rreth 45.4 milionë euro. SPAK ka vijuar hetimet edhe ndaj zyrtarëve të nivelit të lartë. Gjatë vitit të kaluar janë regjistruar 6 procedime të reja, me 16 persona nën hetim. Në total, 30 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të lartë kanë qenë nën hetim, nga të cilët 18 janë dërguar për gjykim, ndërsa 10 persona janë dënuar me vendim të formës së prerë.

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, Klodjan Braho, u shpreh se të dhënat e raportit tregojnë progres në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, duke vlerësuar punën e prokurorëve dhe hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Ai theksoi se sfidat mbeten të mëdha dhe kërkojnë përpjekje të vazhdueshme.

“Ne po punojmë intensivisht për hetimin dhe ndjekjen penale të të gjithë zyrtarëve që kanë abuzuar me detyrën. Një rol të rëndësishëm në arritjet e SPAK ka pasur edhe forcimi i bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë për hetimin e çdo personi që ka kryer vepër penale, duke treguar se askush nuk është mbi ligjin dhe se të gjithë janë të barabartë para tij”, u shpreh Braho.

Sekuestrimet dhe konfiskimet

43.49 milionë euro përfaqësojnë vlerën e aseteve të sekuestruara (rreth 96% e totalit);

1.91 milionë euro përfaqësojnë vlerën e aseteve të konfiskuara (rreth 4% e totalit).

Në këtë vlerë përfshihet edhe sekuestrimi i kriptovalutave të llojit TETHER (USDT), me një vlerë ekuivalente prej 14.5 milionë dollarë, ose rreth 12.4 milionë euro.

SPAK ka vijuar të intensifikojë luftën kundër korrupsionit duke regjistruar:

24 procedimeve me 147 të pandehur për korrupsion jo të nivelit të lartë, dhe

10 procedimeve me 13 të pandehur për korrupsion të nivelit të lartë.

Sa i takon volumit të hetimit të çështjeve apo hetimeve që lidhen me korrupsionin këto janë 220 për vitin 2025, ndërsa çështjet e përfunduara janë 156.

Lufta kundër Krimit të Organizuar është rritur:

Numri i çështjeve dhe hetimeve të përfunduara është rritur me rreth 3.4%, nga 58 në vitin 2024 në 60 në vitin 2025.

Të dhënat krahasuese për periudhën 2024–2025 tregojnë gjithashtu:

rritje me 11.5% të personave nën hetim, dhe

rritje me 36.6% të personave të dërguar në gjykatë.

Numri i të dënuarve me fajësi është i lartë:

Gjatë vitit 2025, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dhënë 66 vendime dënimi, me 197 persona të dënuar.

Nga këto:

41 vendime me 108 persona të dënuar për vepra penale që lidhen me korrupsionin dhe vepra të tjera penale.

25 vendime me 89 persona të dënuar për vepra penale që lidhen me krimin e organizuar

Masat e paraburgimit janë ulur:

Raporti evidenton gjithashtu një ulje me rreth 53.4% të përdorimit të masës së sigurimit “arrest me burg”, duke reflektuar një zhvendosje drejt masave alternative të sigurisë.

Për vitin 2025:

Për veprat penale të korrupsionit, masa “arrest me burg” përbën 3.45% të totalit të personave nën hetim (rreth 5% në vitin 2024);

Për krimin e organizuar, kjo masë përbën 21.4% të personave nën hetim (nga rreth 31% në vitin 2024).

Bashkëpunimi ndërkombëtar është konsoliduar:

SPAK ka vijuar të konsolidojë dhe intensifikojë bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë në luftën kundër krimit transnacional dhe korrupsionit.

95 kërkesa për ndihmë juridike nga jashtë, me një rritje prej 35.7% krahasuar me vitin 2024

66.3% e kërkesave janë ekzekutuar brenda vitit.

Partnerët kryesorë përfshijnë Eurojust, Interpol, Europol, autoritetet e Shteteve të Bashkuara, si dhe autoritetet homologe në rajon dhe në Amerikën e Jugut.

Viti 2025 pasqyron progresin e SPAK në forcimin e një qasjeje të qëndrueshme dhe transparente në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, përmes rezultateve konkrete në hetime, sekuestrimin e pasurive me origjinë të paligjshme dhe zgjerimin e bashkëpunimit ndërkombëtar, duke kontribuar në rritjen e besimit të publikut dhe në forcimin e kapaciteteve institucionale.

GEAR Sh.p.k