Real Madridit i nevojiten vetëm edhe dy pikë nga dy ndeshjet e mbetura deri në fund të sezonit aktual për t’u shpallur kampion i La Ligës.
Skuadra e Zinedine Zidane e bëri edhe një hap tjetër në rrugën drejt trofeut të kampionit të Spanjës, përmes fitores me rezultat 2:1 në ndeshjen kundër Granadas të hënën.
Nëse Los Blancos e mposhtin Villarrealin në stadiumin Alfredo di Stefano të enjten në mbrëmje, atëherë madrilenët do të konfirmohen si kampionët e ri të La Ligës këtë sezon.
Nëse Villarreal kthehen nga kryeqyteti spanjoll me barazim ose me fitore, atëherë Real Madridi do ta ketë rastin tjetër për ta fituar trofeun në ndeshjen e së dielës kundër Leganes.
Barcelona ende ka gjasa ta ndalë Real Madridin nga titulli i 34-të i ligës elitare të futbollit në Spanjë, mirëpo gjasat e tyre tani janë të vogla, pas gabimeve të bëra që nga rinisja e sezonit.
Nëse djemtë e Quique Setien humbin pikë kundër Osasunas ose Alavesit, atëherë atyre do t’u marrë fund ëndrra për titullin e kampionit. /Gazeta Express/