Reforma e fundit e plotë në kurrikulën e arsimit parauniversitar në Shqipëri i përket viti 2014 dhe që nga ajo kohë janë bërë vetëm ndryshime e përmirësime të pjesshme në tekste. Ndërkohë që jetojmë në epokën digjitale, këtë mospërputhje të realitetit teknologjik me përmbajtjet e vjetra në librat shkollorë, mësuesit shpesh detyrohen t’i plotësojnë vetë.
Libra të vjetër, të ngurtë, të pa përditësuar me zhvillimet e fundit nga bota e teknologjisë është ajo çka i ofrohet nxënësve të arsimit parauniversitar në Shqipëri.
“Ajo çka kërkohet në shekullin 21 është kompetenca digjitale, të mësuarit në mënyrë digjitale”, thotë drejtoresha e gjimnazit “Qemal Stafa”, Klotilda Jaupi.
“Teknologjia kur integrohet ne orën e mësimit sjell një orë interaktive”, thekson mësuesja.
“Më kollaj shkojnë drejt elementit digjital se drejt librit”, shprehet një tjetër mësuese.
Pavarësisht se sot flasim për Shqipërinë digjitale, kanë kaluar 11 vite që prej reformës së fundit të teksteve shkollore parauniversitare, të vitit 2014. Prej atij viti, janë bërë vetëm arnime në tekste specifike, aty ku është parë e domosdoshme ndërhyrja. Këto boshllëqe të zhvillimeve teknologjike, mësuesit janë detyruar t’i plotësojnë përmes ndërhyrjeve të veta.
“Përtej pjesëve që përmban libri nxënësve I bëjmë edhe minikonkurse të ndryshme që të shprehin aftësitë”.
“Po krijojmë një faqe webi, në të cilën do të këtë analiza veprash, blogje, reflektime nxënësish”.
“U kam dhënë nxënësve të krijojnë një ese duke përdor chat gpt dhe më pas në bazë të asaj eseje u thashë të japin versionin e tyre”.
“Në analizën e një vepre letrare ngjarjen ja paraqes me anë të një filmi fillimisht”.
“Vërtet ndoshta boshllëqet të zihen me këto elementë. Megjithatë jo rralle herë ka patur vështirësi”.
“Jo të gjithë dinë ta përdorin teknologjinë në ato nivele që kërkohet”.
“Nuk janë gjithmonë kushtet, por ato që kemi t’i shfrytëzojmë”.
Në një kohë që vendet me sisteme arsimore më të avancuara kanë filluar të largohen nga librat fizikë dukë përdorur platforma digjitale që pasurohen në kohë reale, njohuritë e papërditësuara të nxënësve shqiptarë reflektohen edhe në testimet ndërkombëtare të njohurive, siç është ai i PISA-s, ku Shqipëria, ndoshta jo edhe aq për faj të nxënësve u rendit e fundit në botë në aftësinë e 15- vjeçarëve për të menduar në mënyrë krijuese. (A2 Televizion)