Partia Demokratike ka kërkuar shtyrjen e afatit për regjistrimin e diasporës për të mos përfunduar më 4 mars.
Për këtë, kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, ka deklaruar se data 9 mars mund të jetë afati i fundit, pasi duhet shpallur lista paraprake.
Sipas tij, deri më 9 mars mund të diskutohet për afate të tjera, por pa një amendim ligjor, nuk mund të ketë shtyrje përtej kësaj date.
“Diskutimet për një shtyrje do të zhvillohen nga data 4 deri më 9 mars”.
Nga ana tjetër, Celibashi theksoi se PS nuk ka qenë dakord me këtë kërkesë, duke argumentuar se data 4 është afati i njohur nga të gjithë dhe një shtyrje me 2-3 ditë nuk do të ndryshonte situatën.
Përkundrazi, sipas tyre, një shtyrje e tillë do të sillte më shumë konfuzion.
Celibashi ka propozuar që, të paktën për 42,500 zgjedhës që kanë aplikuar, por u është refuzuar kërkesa, të shqyrtohet mundësia që ata të riaplikojnë.
Megjithatë, dhe për këtë çështje nevojitet konsensus mes forcave politike.
Kujtojmë që, regjistrimi i emigrantëve mbyllet me 4 mars dhe pesë ditë më pas bëhet publike lista e tyre.
Më 24 mars është afati për regjistrimin e kandidatëve.