Ndryshe nga herët e tjera, Edy Reja e ka bërë përmes një video, analizën e listës që ka shpallur për këto dy miqësore ndaj Spanjës dhe Gjeorgjisë.
Për trajnerin e përfaqësueses kuqezi, Edoardo Reja janë dy teste të rëndësishme që do t’i japin mundësi skuadrës të tregojë se sa është rritur duke matur forcat me rivalë të rëndësishëm.
Në prononcimin e tij për Fshf.org, tekniku italian ka folur për risitë e listës dhe zgjedhjet e tij, teksa është i kënaqur për faktin se shumë prej lojtarëve po luajnë rregullisht me klubet dhe marrin pjesë në liga të rëndësishme europiane.
Risitë në listë – Kemi gjithmonë një listë me rreth 30 lojtarë, por me vete do të marr 26 lojtarë, sepse është e kotë të marr lojtarë, të cilët më pas nuk do kenë mundësinë të luajnë. Është e qartë që në këtë listë ka disa te reja, është Asllani që po paraqitet shumë mirë me Empolin, duke treguar personalitet të madh pavarësisht moshës, por është një lojtar që ka aftësi të rëndësishme. Sigurisht është ende i ri, duhet ende të rritet, por unë dua ta aktivizoj dhe ta shoh në aksion në një ndeshje zyrtare. Ndonëse janë miqësore, por janë ndeshje të rëndësishme.
Më pas, është Kastrati, i cili gjithashtu po paraqitet mirë këtë vit në Serie B, është një futbollist të cilin e kemi ndjekur edhe më parë dhe më jep përshtypjen se ka ardhur momenti që ta grumbulloja me grupin tonë për të parë karakteristikat që ka. Pastaj kemi edhe një të ri tjetër të datëlindjes 2002, Bajrami i Benfikës, që e kam grumbulluar, ndonëse për momentin nuk ka ende pasaportën, por po punojmë që ta marrë sa më parë dhe shpresojmë që ta marrë në kohë në mënyrë që ta shohim në aksion. Pastaj duhet të kemi parasysh Balliun, i cili është lojtar që e kemi grumbulluar edhe në të kaluarën, por ka pasur probleme fizike. Urojmë që këtë herë të mos ketë ndonjë problem këto ditë dhe të jetë i gatshëm.
Është edhe Vrioni, që po paraqitet shumë mirë në Austri. Më në fund ka gjetur vazhdimësinë, ka shënuar 11 gola dhe dua ta rishoh në aksion me Kombëtaren. Pak a shumë këto janë risitë, për të tjerat kemi një grup mjaft solid dhe pres një rendiment të mirë në këto dy ndeshje.