Rekord thatësire në Iran, Teherani rrezikon të mbetet pa ujë brenda dy javësh

0
2

Kryeqyteti i Iranit, Teherani rrezikon të humbë ujin e pijshëm për banorët, për shkak të rrezikut të tharjes së burimit kryesor për furnizim.

Diga Amir Kabir, një nga pesë digat që furnizojnë me ujë të pijshëm Teheranin, aktualisht përmban vetëm 14 milionë metra kub ujë, që përbën vetëm 8% të kapacitetit të saj, deklaroi drejtori i kompanisë së ujësjellësit të kryeqytetit, Behzad Parsa, për agjencinë IRNA të dielën.

Në këtë nivel, diga mund të vazhdojë furnizimin me ujë vetëm për dy javë, paralajmëroi ai.

Ky njoftim vjen ndërsa Irani po përjeton thatësirën më të rëndë në dekada. Niveli i reshjeve në provincën e Teheranit është “gati pa precedent në 100 vitet e fundit”, deklaroi një zyrtar lokal muajin e kaluar.

 

 

Metropoli me mbi 10 milionë banorë ndodhet në shpatet jugore të malësisë Alborz, majat e së cilës arrijnë deri në 5,600 metra lartësi dhe furnizojnë me ujë disa rezervuarë.

Një vit më parë, diga Amir Kabir mbante 86 milionë metra kub ujë, tha Parsa, por këtë vit ka pasur një “rënie 100 për qind të reshjeve” në rajonin e Teheranit. Ai nuk dha detaje për situatën e digave të tjera që furnizojnë qytetin.

Sipas mediave iraniane, popullsia e Teheranit konsumon rreth tre milionë metra kub ujë çdo ditë.

Si masë kursimi, autoritetet kanë pezulluar furnizimin me ujë në disa lagje, ndërsa ndërprerjet kanë qenë të shpeshta gjatë verës.
Në korrik dhe gusht, u shpallën dy ditë pushimi publik për të kursyer ujë dhe energji, ndërkohë që temperaturat në Teheran kaluan 40°C, dhe në disa zona të vendit arritën mbi 50°C.

“Kriza e ujit është më e rëndë nga sa flitet sot,” kishte paralajmëruar në atë kohë presidenti iranian Masoud Pezeshkian.
Mungesa e ujit është një problem madhor në të gjithë Iranin, veçanërisht në provincat jugore dhe të thata, ku mungesat fajësohen për keqmenaxhim, shfrytëzim të tepërt të burimeve nëntokësore dhe ndryshimet klimatike.

Fqinjët e Iranit, Iraku, po përballen gjithashtu me vitin më të thatë që nga viti 1993, pasi lumenjtë Tigër dhe Eufrat, që derdhen në Gjirin Persik, kanë rënë deri në 27% të nivelit normal, për shkak të mungesës së reshjeve dhe kufizimeve të ujit nga vendet në rrjedhën e sipërme, duke shkaktuar një krizë humanitare të rëndë në jug të vendit.