Rektorja e Universitetit të Elbasanit harron emrin e deputetit, ironizon Baçi: Kujto ata që të interesojnë

0
2

Në mbledhjen e Komisionit për Edukimin, Shkencën dhe Sportin, ku u raportua për projektbuxhetin e vitit 2026 për universitetet publike të rretheve, rektorët në përgjithësi e vlerësuan pozitivisht ndarjen buxhetore, duke e cilësuar “të mjaftueshme” për të mbuluar nevojat bazë të institucioneve të tyre.

Qëndrimi i përgjithshëm “i kënaqur” i rektorëve u prit me skepticizëm nga deputeti i Partisë Demokratike, Luan Baçi, i cili ironizoi se drejtuesit e universiteteve “po bëjnë elozhe ndaj qeverisë”.

Por kjo nuk u pranua nga rektorja e Universitetit “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit, Elvira Fetahu, e cila theksoi se “universiteti është i pavarur dhe apolitik” dhe se nuk pranon etiketime të tilla.

Në një moment që krijoi edhe situatë të sikletshme, ishte kur Fetahu tha se nuk mund të kujtonte emrin e Baçit, gjë që deputeti i PD nuk e la pa koment.

Luan Baçi: Përgjigjen janë të nivelit të tillë që këtu nuk ka asnjë lloj problemi, të gjitha problemet janë të zgjidhura, buxheti është i mjaftueshëm, s’ka nevojë për rritje buxheti më dhe ju e paskeni kërkesën vetëm tek vetja.

Unë di se universitetet janë të pavarura dhe bëni dhe juve qeverisë elozhe. Domethënë të jemi në majat më të larta dhe jemi të gatshëm besoj dhe kjo ju mungoi t’thoshit që “jemi të gatshëm për Bashkimin Europian”, pra jemi në nivelet e universiteteve të botës. Në qoftë se do të ishte një gjë e tillë, zonja e nderuar, më vjen keq, po duhet ta them, universitetet shqiptare shtetërore janë të braktisura totalisht.

Rektorja  e Universitetit Aleksandër Xhuvani ne Elbasan, Elvira Fetahu: Besoj që duhet të respektojmë një farë etike, kur etiketohemi që zonja nënkuptoi “të rrojë partia”, nuk e pranojë këtë koment nga ana, nga ana e anëtarit, ndjesë se dhe nuk ja kujtoj për momentin, sepse Universiteti Elbasanit ta garantoj që është apolitik, i pavarur dhe drejtuesja është shumë profesionale në këtë aspekt.

Luan Baçi: Edhe unë s’jua di emrin. Sinqerisht akoma nuk e kam mësuar dhe nuk ishte e nevojshme të thuash, mund të thuash zotëria, për shembull, siç mund të them unë zonja ose deputeti. Se s’kujtohet emri, nuk ka pse të kujtohet. Kujtoje emrat e tjerë që t’i interesojnë. Dhe këtu je në një komision parlamentar pavarësisht me statusin e rektores, nuk je me student.

TPZ