Në Indeksin Botëror të Lirisë së shtypit, të Reporterëve pa Kufij, Shqipëria renditet e 83-ta mes 180 vendeve, duke fituar një vend krahasuar me vitin e kaluar.
Sipas organizatës, Europa regjistroi një përkeqësim të konsiderueshëm sa i përket abuzimeve, me më shumë se dyfishin e akteve të dhunës në Bashkimin Europian dhe Ballkan, krahasuar me një përkeqësim prej 17% në të gjithë botën.
Në pjesën për Shqipërinë thuhet se qeveria shtoi presionin ndaj medias në vitin 2020, duke kërcënuar të miratojë një ligj të ri antishpifje, pavarësisht kritikave nga organizata në mbrojtje të lirisë së shtypit dhe rekomandimit kundër të Komisionit të Venecias.
“I bllokuar me veto presidenciale në vitin 2020, ky ligj do të rezultonte në rritje të censurës në një vend, ku qeveria ka kufizuar qasjen e gazetarëve ndaj informacioneve shtetërore dhe përdor dhënien e licencave për të kontrolluar mediat televizive. Sjellja e qeverisë kundrejt mediave inkurajoi biznesmenë e zyrtarë pro qeverisë të padisin gazetarë, ndërsa përdorimi i gjuhës denigruese i ktheu gazetarët në një shënjestër të mundshme të sulmeve”.
Sulmet fizike, sipas raportit të Reporterëve Pa Kufij, janë të zakonshme dhe shpesh mbetet të pandëshkuara.
“Në fillim të krizës së koronavirusit, kryeministri Edi Rama i kërkoi publikut të mbrohet nga media dhe refuzoi të ofrojë ndihmë kur pandemia përkeqësoi problemet financiare të mediave deri në pikën kur disa gazeta hoqën dorë nga versioni i printuar për 6 javë. Përpjekjet për të kriminalizuar gazetarinë u rishfaqën kur polica arrestoi dhe keqtrajtoi gazetarët gjatë demonstratave”.
Sa i përket rajonit, Kosova ka pësuar rënie prej 8 vendesh, duke u pozicionuar e 78 këtë vit. Maqedonia e Veriut renditet në vendin e 90, 2 vende me lart se vitin e kaluar.
A2