Pas rikthimit në stolin e Milanit, Massimiliano Allegri ka nisur një revolucion të heshtur që po jep frytet e para. Katër fitore radhazi pa pësuar gol janë dëshmi jo vetëm e një pune të fortë taktike – përfshirë mbrojtjen me tre – por edhe e rregullave të reja që kanë sjellë disiplinë dhe unitet në grup.
Në qendër të këtij ndryshimi janë disa masa konkrete: tavolinat në mensë tani janë katrore për të shmangur ndarjen në grupe; komunikimi është i detyrueshëm në italisht – siç e ka kërkuar edhe Ibrahimoviç – për të kuptuar më mirë fushën dhe lojën. Është rikthyer edhe grumbullimi para ndeshjeve dhe është vendosur një kod i rreptë veshjeje – xhaketë dhe kravatë për të gjithë, nga lojtarët te stafi ndihmës.
Qëllimi? Jo thjesht formalitet, por ndërtimi i një grupi të bashkuar, ku secili ndjen përgjegjësi dhe përkatësi.
Rezultatet në fushë janë pasqyra më e mirë e këtij transformimi. Tifozët kanë nisur të ëndërrojnë sërish, ndërsa sfida e madhe me Napolin këtë fundjavë në San Siro pritet të japë një sinjal të qartë për pretendimet kuqezi.