Rezultova pozitive, u bëra më keq’, 15 vjeçarja shqiptare rrëfen historinë e saj se si e përjetoi COVID-19

0
140

Dëgjojmë çdo ditë se shifrat nga COVID-19 po rriten e në këtë mënyrë masat për mbrojtjen e shëndetit janë shtuar dhe bërë më strikte.

Nëse keni menduar se ky virus prek vetëm të moshuarit e keni gabim, pasi një 15 vjeçare ka ndarë historinë e saj për “Anabel” aty ku treguar me detaje se si mendoi se kishte thjesht një grip të thjeshtë e deri tek marrja vesh që ka COVID-19.

“Rreth datës 18 gusht kam ndjerë shqetësimet e para. Telefonova 127 dhe më thanë që s’kisha gjë se nuk ishin simptoma serioze. Ditën e parë kisha temperaturë, dhimbje të tmerrshme koke dhe fyti. Ditën e dytë më pushoi dhimbja e kokës dhe kisha temperaturë 37.5 -38 gradë Celcius. Temperatura ulej dhe ngrihej; zgjati 4 ditë. Isha keqinformuar dhe mendoja se po të kishe temperaturë mbi 40 gradë Celcius kishe koronavirus. Kështu që në mendjen time ishte thjesht grip”, tregon vajza.

Sipas saj, mund të jetë infektuar në autobus. Përsa i përket simptomave të tjera, ajo shtoi:

Më pas, fillova të dridhesha dhe vetëm djersija. Më mbetej fryma në gjysmë. Shkova të bëja testin për koronavirusin në privat dhe rezultova pozitive. Kur mora vesh që kisha koronavirus, u bëra më keq akoma. Të tremb ideja që e ke. Më pas nuk kisha më temperaturë, por kisha kollë dhe djersitje të tmerrshme. Dridhesha. Në fillim më iku shija. Ndieja vetëm pak shijen e alkoolit, por kjo filloi më mbrapa, ndërsa nuhatja më iku për dy ditë.“

Ajo u ndal ndër të tjera edhe te ndikimi që ka virusi te shëndeti mendor:

“Covid-19 ndikon shumë keq edhe në anën psikologjike. Të largohen komshinjtë dhe të afërmit. Ndihesha vetëm. Një pjesë tallen dhe thonë ‘hë se grip është’. Të tremb ideja që e ke dhe fakti që kanë vdekur shumë njerëz dhe ti po kalon një sëmundje që ka vrarë njerëz. Ndodh që të të nisin edhe meme me koronën. Nuk kanë faj, sepse nuk e kanë kaluar vetë dhe u duket e lehtë. Duke qenë 15 vjeç, mendoja se do ta kaloja më lehtë, por mesa duket nuk ka lidhje mosha.”

(A.B)/Dosja.al