Rikthehen ‘skemat piramidale’, alarm për mashtrimin me investime

0
2

Skemat e mashtrimit, të ngjashme me firmat piramidale, janë rikthyer sërish në qytetin e Lezhës.

Edhe pse një skemë e tillë mashtroi më herët qindra qytetarë dhe solli humbje të mëdha financiare, institucionet përgjegjëse nuk ndërmorën asnjë veprim konkret.

Nuk pati hetim të thelluar, nuk u identifikuan përgjegjësit dhe askush nuk u vu përpara drejtësisë, duke lënë të hapur terrenin për rikthimin e këtij fenomeni. Skema më e re “Ivuu” funksionon serish nëpërmjet aplikacionit “Telegram”, ku bëjnë pjesë rreth 260 pjesëmarrës nga e gjithë Shqipëria, me emrin e grupit “Apex Albanian Group”.

Shumë qytetarë investuan rreth një vit më parë shuma të konsiderueshme parash, me premtimin se brenda dy javësh do të përfitonin dyfishin e investimit.

Kulmi i lojës “Xeux” u shënua gjatë verës së vitit 2025. Skema funksiononte në formë zinxhiri: çdo individ sillte persona të rinj dhe përfitonte komisione.

Shumëfishimi i parave bëhej përmes të ashtuquajturave “sinjale”, që rrisnin buxhetin në një portofol elektronik, duke nxitur investime të tjera.

Për t’u bërë pjesë mjaftonte një investim prej 1–2 mijë eurosh, së bashku me kartën e identitetit, ndërsa komunikimi zhvillohej përmes aplikacionit “Telegram”.

Si pasojë, shumë persona humbën shuma të mëdha parash, ndërsa dyshohet se përfituesit ishin vetë organizatorët e skemës. Pjesëmarrësit tregojnë se u ishte premtuar se paratë mund të tërhiqeshin vetëm në Kosovë, në pika të ashtuquajtura të autorizuara.

Në kushtet kur kjo skemë ka nisur sërish të qarkullojë në Lezhë, kërkohet reagim i menjëhershëm nga institucionet ligjzbatuese për të ndaluar përhapjen e saj dhe për të mbrojtur qytetarët nga humbje të tjera financiare.