Pas 50 vitesh në Sardenjë është kthyer Kolera. Mediat në vend raportojnë se një i moshuar nga Arbus-i është shtruar në pavijonin e sëmundjeve infektive të spitalit Santissima Trinità në Cagliari.
Deri më tani, gjendja e tij shëndetësore është e qëndrueshme dhe ai po përmirësohet.
Pacienti, i cili vuante nga sëmundjet e zemrës, ndodhet në spital prej pesë ditësh. Vendi dhe dita e infektimit nuk dihen ndërsa udhëtime jashtë shtetit nuk ka bërë së fundmi.
Simptomat e para mendohet se janë shfaqur te i moshuari një muaj më parë dhe ky element vështirëson përcaktimin e saktë të momentit të infektimit.
Mjekët po kryejnë kontrolle epidemiologjike tek familjarët e pacientit që jetojnë në zonën e Medio Campidano dhe që aktualisht nuk shfaqin asnjë simptomë, megjithatë priten rezultatet e analizave të cilave u janë nënshtruar.
Dyshimet e para janë që imoshruari ta ketë marrë kolerën nga ushqimi i detit, i pa gatuar.
“Njerëzit duhet ta kuptojnë që ushqimet e detit nuk konsumohen të gjalla. Shumë njerëz shpesh marrin infeksion në zorrë sepse hanë ushqim deti të gjallë,” deklaroi Matteo Bassetti, drejtori i sëmundjeve infektive në spitalin San Martino në Xhenova.
Kolera është një infeksion akut diarreal i shkaktuar nga bakteri Vibrio cholerae. Transmetimi i tij ndodh me kontakt oral, direkt ose indirekt, me feçe ose ushqim të kontaminuar dhe në rastet më të rënda mund të çojë në fenomene të rrezikshme dehidrimi.
Bakteri i kolerës është kryesisht i pranishëm në ujë dhe mund të kontaminojë ushqime të tilla si molusqet dhe produktet e peshkimit, të cilat, nëse hahen të papërpunuara ose të paziera, mund të transmetojnë infeksionin.