Rimbursimi i gjobave për shkelje të afateve të qëndrimit jashtë vendit, Tatimet: Dokumentet që duhen dorëzuar

0
303

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka publikuar dokumentet që duhen dorëzuar nga qytetarët për rimbursimin e gjobave të vendosura nga autoritete të shteteve të huaja,  të cilët për shkak të mbylljes së kufijve, kanë tejkaluar afatin e qëndrimit në këto shtete, gjatë periudhës 10 Mars – 1 Qershor 2020.

Tatimet theksojnë se çdo individ, shtetas shqiptar, që është gjobitur në shtetet e huaja, për arsyen e mësipërme, duhet të disponojë, mandatin e arkëtimit që vërteton kryerjen e pagesës së gjobës, të cilin duhet ta dorëzojë, të përkthyer dhe noterizuar, të dhënat individuale të llogarisë bankare (emër banke dhe IBAN); fotokopje të dokumentit të indentifikimit të individit (pasaportë, kartë indentiteti) si dhe duhet të dorëzojnë edhe numër kontakti personal.

Dokumentet e mësipërme, qytetarët shqiptarë duhet t’i dorëzojnë pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, nëpërmjet shërbimit postar (apo në kutinë postare në DPT).

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve fton të gjithë individët e interesuar që, për të siguruar një rimbursim të shpejtë dhe brenda afatit, si dhe për të shmangur vonesat në këtë proces, të dorëzojnë dokumentacion të saktë .

Gjithashtu, Tatimet theksojnë që për çdo pyetje apo paqartësi qytetarët mund të kontaktojnë në numrin 0800 0002 (nga e Hëna në të Premte, orari: 08.30-17.00), si dhe mund të dërgojnë email në adresën [email protected].

atsh