Në mbështetje të ligjit “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave vendosi, “Përcaktimin e kategorisë së eksportuesve për qëllim të rimbursimit të TVSH-së”.
Relacioni që shoqëron këtë vendim, citon se “në zbatim të ligjit, kërkesat për rimbursimin e TVSH-së të bëra nga personat e tatueshëm eksportues dhe personat e tatueshëm që rieksportojnë mallrat joshqiptare nën regjimin e përpunimit aktiv në Republikën e Shqipërisë, siç përcaktohet në Kodin Doganor, ndahen sipas kategorive të parashikuara në këtë nen.
Rimbursohen automatikisht, brenda 30 ditëve nga data e paraqitjes, kërkesat për rimbursim të TVSH-së, të vlerësuara si kërkesa të bëra nga personat e tatueshëm, me risk zero, të cilët plotësojnë njëkohësisht kriteret: Kanë status të aktivitetit “aktiv”; Vlera e eksporteve të kryera në periudhën/at tatimore, për të cilën/at kërkohet rimbursim, është më shumë se 70 (shtatëdhjetë) % e vlerës së përgjithshme të shitjeve, përfshirë eksportet, e verifikuar edhe nga raportet doganore të eksporteve në sistem; Kanë aktivitet eksportues mbi 1 (një) vit; Nuk kanë detyrime të papaguara të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore”.
Sipas relacionit, kërkesat e personave të tatueshëm, vlera e eksporteve të të cilëve, të kryera në periudhën/at tatimore për të cilën/at kërkohet rimbursimi, përbën më shumë se 50 % deri në 70 % të vlerës së përgjithshme të shitjeve, përfshirë eksportet, rimbursohen brenda 30 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës për rimbursim të TVSH-së, duke iu nënshtruar më parë procedurës së analizës së riskut.
Në këtë kategori bëjnë pjesë edhe kërkesat e personave të tatueshëm, vlera e eksporteve të të cilëve është mbi 70 %.
Nëse nga analiza e riskut rezulton se personi i tatueshëm që klasifikohet në këtë kategori duhet t’i nënshtrohet procesit të kontrollit tatimor, e gjithë procedura, përfshirë kontrollin, përfundon brenda 30 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës. Edhe nëse nuk ka përfunduar në afat procedura e kontrollit, brenda afatit 30-ditor nga data e paraqitjes së kërkesës për rimbursim, kryhet rimbursimi i TVSH-së nëpërmjet sistemit të thesarit, me përjashtim të kërkesave të personave të tatueshëm që rezultojnë me status të aktivitetit “pasiv”, të cilët detyrimisht do të rimbursohen pas përfundimit të procedurës së kontrollit tatimor.
Të gjithë personat e tjerë të tatueshëm që kryejnë eksporte, por që nuk klasifikohen rimbursohen brenda 60 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës për rimbursim, duke iu nënshtruar procedurës së analizës së riskut. /j.p/r.e/