Ekipi kombëtar i Shqipërisë është ndër të paktët kundër të cilëve Cristiano Ronaldo ka dështuar të shënojë gol, pavarësisht se është ballafaquar katër herë me kuqezinjtë gjatë karrierës së tij në fanellën e Portugalisë.
Ronaldo u bë vetëm lojtari i dytë në botë që i shënon 100 apo më tepër gola për kombëtaren e vet, pasi i shënoi dy gola të jashtëzakonshëm në fitoren e Portugalisë 2:0 kundër Suedisë në Ligën e Kombeve të martën, shkruan Gazeta Express.
Pesë herë fituesi i Topit të Artë tani ngel vetëm tetë gola larg Ali Daei, i cili është i pari më 109 gola të shënuara për Kombëtaren e Iranit.
Në përgjithësi, Ronaldo u ka shënuar të paktën një herë 41 kombëtareve të ndryshme, por jo edhe Shqipërisë.
Madje, kuqezinjtë bëjnë pjesë në mesin e kombëtareve të fuqishme që sulmuesi i Juventusit ka dështuar t’iu shënojë gol.
Kundërshtarët me të cilët Ronaldo është përballur të paktën tri herë dhe nuk u ka shënuar gol janë: Shqipëria (4 ndeshje), Franca (4 ndeshje), Gjermania (4 ndeshje), Brazili (3 ndeshje) dhe Anglia (3 ndeshje).
Ronaldo është përballur me Shqipërinë në katër ndeshje, një miqësore dhe tri garuese, në kualifikime për Kupën e Botës dhe për Kampionatin Evropian.
Për herë të parë, Ronaldo u përball me Shqipërinë në vitin 2003, në një ndeshje miqësore që Portugalia e fitoi 5:3 në Lisbonë.
Takimi i radhës erdhi më 2008, në një ndeshje kualifikuese për Kupën e Botës 2010 AXA Arena, e cila u mbyll pa fitues.
Më pas, Ronaldo dhe Shqipëria u përballen në stadiumin Qemal Stafa në Tiranë, në ndeshjen e kthimit në kualifikime për Kupën e Botës më 2009. Porgualia fitoi 2:1 me golat e Hugo Almedia dhe Bruno Alves.
Ndërsa hera e fundit kur Ronaldo luajti kundër Shqipërisë ishte më 2015, në fitoren e Portugalisë 1:0 me golin e Fernando Santos në Elbasan Arena, në Elbasan. Kjo ndeshje ishte e vlefshme për kualifikime në Euro 2016.
Në të gjitha këto takime, Ronaldo ishte titullar. /Gazeta Express/