Viti i ri shkollor për arsimin parauniversitar nis në 8 shtator, ditë kur hyn në fuqi edhe rregullorja e re për të gjitha shkollat 9-vjeçare dhe të mesme.
E gjithë rregullorja ka si synim të minimizojë përdorimin e telefonave në ambientet e shkollave, përmes masave që do të aplikohen.
Përmes një materiali të ilustruar nga Ministria e Arsimit, jepen detaje nga rregullat e reja për nxënësit dhe masat e përcaktuara në rast shkeljeje.
Rregullorja e re kërkon bashkëpunim me prindërit për këtë proces dhe parashikon edhe veprimet që duhet të ndërmerren në raste të veçanta kur duhet përdorur telefoni.
Në rregullore parashikohet se fëmijët mund të komunikojnë përmes telefonit me prindërit vetëm në raste urgjente.
Telefonat, sipas rregullores, vendosen në kuti ose sirtarë në çdo klasë, duke qenë të fikur ose me opsionin ‘air mode’.
Në rast se një nxënës kapet duke përdorur telefonin, ai këshillohet, njoftohet prindi përmes SMIP, kalon në fazën e këshillit nga Komisioni i Disiplinës.
Ndërsa në rastet e nxënësve të shkollave të mesme, do të ketë përshkallëzim të masave, referuar rregulloreve të brendshme.