Rreth 100 mijë njerëz evakuohen në Pakistan për shkak të përmbytjeve

0
70

Shërbimet e emergjencës në Pakistan bënë të ditur më 23 gusht se rreth 100 mijë njerëz janë evakuuar nga fshatrat e përmbytura në provincën Punjab.

Disa qindra fshatra dhe mijëra hektarë tokë bujqësore në provincën qendrore u përmbytën kur lumi Sutlej doli nga shtrati i tij të dielën.

Shërbimet e urgjencës kanë punuar për evakuimin e banorëve dhe bagëtive në zonat më të rrezikuara.

“Ne kemi shpëtuar 100.000 njerëz dhe i kemi transferuar në vende më të sigurta”, tha zëdhënësi i shërbimeve të urgjencës në Punjab, Farooq Ahmad, për agjencinë e lajmeve AFP.

Kreu i qeverisjes në Punjab, Mohsin Naqvi, tha se reshjet e dendura të shiut i kishin shtyrë autoritetet në Indi të lëshonin ujin e tepërt të rezervuarit në lumin Sutlej, duke shkaktuar përmbytje në anën pakistaneze të kufirit.

Zyrtarët në anën indiane nuk u janë përgjigjur pyetjeve të bëra nga AFP lidhur me këto akuza.

Agjencia e menaxhimit të fatkeqësive në Punjab paralajmëroi se shirat e parashikuar mund ta përkeqësojnë gjendjen me përmbytjet gjatë ditëve në vijim.

Pakistani është ende duke punuar në rikuperimin nga përmbytjet shkatërruese që vërshuan gati një të tretën e vendit në vitin 2022, duke prekur më shumë se 33 milionë njerëz.

Për këtë fatkeqësi faji i është hedhur ndryshimeve klimatike, teksa qindra mijëra persona kanë mbetur pa shtëpi dhe autoritetet pakistaneze kanë vlerësuar se dëmet e shkaktuara nga vërshimet arrijnë në vlerën e të paktën 10 miliardë dollarësh. REL