Rreth 18% e banesave në Shqipëri janë nën 40 metra katrorë, sfidë për familjet

0
50

Sipas të dhënave të fundit nga INSTAT, Shqipëria ka një total prej 726,325 banesa të zakonshme të banuara, të cilat janë të kategorizuara bazuar në sipërfaqen e përdorshme dhe periudhën e ndërtimit. Një aspekt i rëndësishëm që bie në sy është shpërndarja e numrit të banorëve për banesë, që varion nga një banor deri në pesë ose më shumë.

Banesat më të vogla, me sipërfaqe nën 40 metra katrorë, përbëjnë 127,552 njësi, ose 18% e totalit. Në këto banesa, shumica e familjeve janë përbërë nga një deri në dy anëtarë. Sipas të dhënave, 21,243 banesa janë të banuara nga një person i vetëm, ndërsa 38,947 njësi strehimi kanë dy banorë. Dendësia fillon të rritet me familjet me tre dhe katër anëtarë, përkatësisht 26,591 dhe 20,064 banorë në këto kategori.

Sipas statistikave, 156,224 banesa në vend janë të banuara nga pesë ose më shumë persona, duke treguar një dendësi të lartë në këto njësi. Ky fenomen mund të lidhet me faktin se në zonat rurale dhe familjet tradicionale, është e zakonshme që familje të mëdha të jetojnë së bashku në një banesë.

Të dhënat tregojnë një ndryshim të madh në përbërjen dhe strukturën e banesave, duke nënvizuar nevojën për përmirësimin e kushteve të strehimit, sidomos për familjet me më shumë anëtarë. Në këtë kontekst, mbështetja institucionale për të siguruar strehim të përshtatshëm për të gjitha familjet është një prioritet që duhet adresuar për të përmirësuar cilësinë e jetës së qytetarëve shqiptarë.

Sipas sociologes Marsida Simo, tendencat e banimit të ilustruara nga këto të dhëna theksojnë nevojën urgjente për politika të reja strehimi. “Përmirësimi i cilësisë së banesave, zgjerimi i hapësirës së përdorshme dhe ndërtimi i banesave të reja të përshtatura për familjet me shumë anëtarë janë disa nga masat që mund të lehtësojnë situatën.

Për më tepër, ndihma për banesat sociale dhe subvencionimi i projekteve për shtresat e ulëta do të ndihmonte në zbutjen e presionit të mbipopullimit dhe do të garantonte një cilësi më të mirë të jetesës për të gjithë qytetarët.:-përfundon ajo./ Monitor