Rreziku i zjarreve në Amazonë, pyjet tropikale humbasin 20 përqind të sipërfaqes

0
271

Niveli i lartë i shpyllëzimit të Amazonës prej zjarreve në pjesën e parë të vitit po rrit mundësitë për përsëritjen e një tjetër katastrofe natyrore si ajo e verës së kaluar.

Ambientalistët në Brazil janë të shqetësuar se vatrat e zjarrit në gjashtëmujorin e parë të vitit po paralajmërojnë një vit më të vështirë se i kaluari për sa i përket shpyllëzimit në Amazonë.

Sipas të dhënave të qeverisë braziliane, nga janari në qershor, rajoni verior i Amerikës Latine humbi 20 për qind të sipërfaqes pyjore krahasuar me vitin 2019.

Autoritetet në pjesën e parë të vitit diktuan rreth 2,250 vatra zjarri apo afërsisht 75 vatra të reja çdo ditë.

Pjesëtarë të instituteve dhe organizatave për mbrojtjen e pyjeve tropikale druhen gjithashtu për problemet respiratore që tymrat e zjarreve po shkaktojnë të banorët, duke u shtuar komplikacionet pacientëve që tani janë diagnostikuar edhe me koronavirus.

“Nga janari në muajin maj kemi pasur më shumë se 650 mijë hektarë në rrezik shpyllëzimi. Kjo sipërfaqe është 78 për qind më e lartë sesa vitin e mëparshëm.”

“Zhveshja e tokës nga pyjet përbën një problem të madh shëndetësor. Nëse kemi shpyllëzime dhe njëkohësisht kovidin-19, pasojat e tyre do të jenë katastrofike për banorët e rajonit.”

Vatrat e zjarrit në Amazonë këtë vit mbeten ende të ulëta për momentin por rrezikojnë përhapjen si vitin e kaluar.

Flakët e 2019-ës rezultuan në një katastrofë natyrore që shkrumboi më shumë se 5,500 kilometra katrorë pyje, duke arritur një kulmin me 1 mijë vatra të reja në ditë gjatë muajit gusht.

Zjarret zakonisht ndizen nga prerësit e druve të cilët këtë kanë shpyllëzuar rreth 34 për qind më shumë sipërfaqe të Amazonës nga viti në vit, situatë që sipas ambientalistëve është neglizhuar edhe për shkak të institucioneve shtetërore.

Sezoni i zjarreve në rajonin brazilian arrin pikun në muajt gusht dhe shtator.

/Ora News.tv/