Rrëzimi i avionit në Indi, asnjë “gjurmë” nga kutia e zezë

0
2

Autoritetet indiane ende nuk kanë gjetur kutitë e zeza të avionit Boeing 787 të kompanisë Air India, i cili u rrëzua pranë qytetit Ahmedabad. Ekipet e kërkim-shpëtimit vijojnë të punojnë për të nxjerrë trupat e viktimave nga vendngjarja, ndërsa shkaku i aksidentit mbetet ende i panjohur.

Ekspertët e aviacionit kanë ngritur pikëpyetje serioze, duke e cilësuar avionin si jashtëzakonisht të sigurt, dhe theksojnë se në një situatë të tillë numri i të mbijetuarve duhej të ishte më i lartë. Ata e quajnë “pothuajse të pashpjegueshme” faktin që vetëm një pasagjer ka shpëtuar gjallë nga aksidenti.

I mbijetuari i vetëm është Vishwashkumar Ramesh, shtetas britanik, i cili ndodhej në bordin e avionit bashkë me 169 shtetas indianë, 53 britanikë, 7 portugezë dhe 1 kanadez. Familjarët e viktimave kanë dhënë mostra të ADN-së për të ndihmuar në procesin e identifikimit të trupave.

Kryeministri indian Narendra Modi vizitoi vendin e rrëzimit si dhe të plagosurit në spital. Ai zhvilloi një bisedë të shkurtër me të mbijetuarin dhe stafin mjekësor. Mësohet se avioni u përplas me një konvikt ku strehoheshin mjekë, duke shkaktuar dëme edhe jashtë bordit.

Ndërkohë, autoritetet indiane kanë nisur një hetim zyrtar në përputhje me protokollet ndërkombëtare, për të zbardhur shkaqet e tragjedisë. Po ashtu, është ngritur një komitet i nivelit të lartë, i përbërë nga ekspertë të fushave të ndryshme, me synim përforcimin e sigurisë ajrore dhe parandalimin e aksidenteve të ngjashme në të ardhmen./abcnews.al