Rrëzohet avioni me 132 persona në bord në Kinën Jugore

0
123

Një avion Boeing 737 është rrëzuar në jug të Kinës mëngjesin e së hënës. Sipas autoriteteve kineze në bord po udhëtonin 123 pasagjerë dhe 9 anëtarë të ekuipazhit, fati i të cilëve nuk dihet megjithëse aksidenti ishte fatal.

Një avion pasagjerësh i China Eastern Airlines me 132 persona në bord është rrëzuar në malet e Kinës jugore të hënën.

Avioni i llojit Boeing 737 është shpërbërë i gjithi dhe flakët janë përhapur në të gjithë zonën e pyllëzuar.

Ende nuk dihet fati i 132 personave në bord, megjithëse mendohet që numri i viktimave të jetë i konsiderueshëm.

123 persona mësohet se udhëtonin si pasagjerë, ndërsa 9 të tjerë ishin staf të ekuipazhit.

Avioni ishte nisur nga qyteti Kunming për në Guangzhou rreth orës 08:30 të mëngjesit të së hënës me orën e Shqipërisë, një fluturim që zgjaste rreth 1 orë sipas Administratës së Aviacionit Civil të Kinës.

Sipas institucionit ajror, avioni është rrëzuar ndërsa ishte afër destinacionit ku po fluturonte në lartësinë 1000 metra.

Rënia e avionit ka qenë tepër e shpejtë, pasi në 2 minuta e 15 sekonda ka rënë nga 8800 metra në 1000.

Nuk dihen ende shkaqet e aksidentit, ndërsa forcat e kërkim shpëtimit kanë mbërritur në vendin e ngjarjes.

Të dhënat e sigurisë së industrisë së linjave ajrore të Kinës kanë qenë ndër më të mirat në botë gjatë dekadës së fundit.

Sipas Rrjetit të Sigurisë së Aviacionit, aksidenti i fundit fatal i avionit në Kinë ishte në vitin 2010, kur 44 nga 96 personat ndërruan jetë kur një avion rajonal Embraer E-190 u rrëzua në juglindje të vendit.

oranews