Rritet në mbarë botën koha që shpenzojmë me smartphone

0
185

Pandemia e koronavirusit ka rritur kohën që shpenzojmë përpara ekraneve dhe kjo është veçanërisht e vërtetë te pajisjet mobile.

Sipas një raporti të ri nga shoqëria e të dhënave dhe analizave mobile App Annie, konsumatorët në mbarë botën tani kalojnë mesatarisht 4.2 orë në ditë, duke përdorur aplikacionet në smartphone-t e tyre, në rritje me 30% krahasuar me vetëm 2 vite më parë. Në disa tregje, kjo mesatare është edhe më e lartë – më shumë se 5 orë.

Në tremujorin e parë të vitit 2021, koha e përditshme e shpenzuar në aplikacione i kapërcente 4 orë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Turqi, Meksikë dhe Indi, për herë të parë – thekson raporti. Nga këto shtete, në Indi është shënuar rritja më e madhe, ku konsumatorët kanë shpenzuar 80% kohë më shumë në aplikacionet e smartphone-ve të tyre në tremujorin e parë 2021 krahasuar me tremujorin e parë 2019.

Për ta vënë këtë në perspektivë në tregun amerikan, Nielsen kishte raportuar vitin e kaluar se konsumatorët shpenzonin rreth 4.5 orë duke parë televizor, por vetëm 3 orë e 46 minuta duke përdorur aplikacionet e smartphone-ve të tyre.

Image Credits: App Annie

Megjithatë, duhet të theksojmë se studimet e Nielsen dhe App Annie nuk mund të krahasohen detyrimisht në mënyrë të drejtpërdrejtë, pasi App Annie ka matur kohën e shpenzuar vetëm tek pajisjet me sistem operativ Android – dhe shumë amerikanë përdorin iPhone (me sistem iOS). Ndërkohë Nielsen mbështetet te panelet për të arritur në një kampion përfaqësues. Nga të dhënat e përgjithshme kuptohet se aplikacionet mobile janë një mjet argëtimi më i përhapur se sa mënyra e vjetër e kalimit të kohës së amerikanëve para televizorit.

Raporti i ri nxjerr në pah edhe se koha mesatare e shpenzuar në ditë, në aplikacione, në tre tregje – Brazili, Koreja e Jugut dhe Indonezia – është rritur në më shumë se pesë orë në tremujorin e fundit.

Mund të jetë e vështirë të përcaktosh se cilat aplikacione po udhëheqin këto ndryshime, duke qenë se aplikacionet më të shkarkuara vijojnë të mbeten të njëjtat tremujor pas tremujori. Klasifikimet kryesore vijojnë të dominohen, për shembull, nga TikTok, YouTube e Facebook. Kjo është arsyeja se pse App Annie po gjurmon ato aplikacione që i cilëson si “breakout apps” (aplikacionet që po sjellin këtë ndryshim), të cilat kanë shënuar bum shkarkimesh tremujor pas tremujori në sistemet operative iOS dhe Android.

Image Credits: App Annie

Në tremujorin e parë 2021, tregjet perëndimore patën një rritje të aplikacioneve të sigurta të mesazheve, Signal dhe Telegram. Signal, për shembull, kryeson në Mbretërinë e Bashkuar, Gjermani, Francë dhe në katër shtete të SHBA si “breakout app” për tremujorin. Telegram renditet i 9-i në Mbretërinë e Bashkuar, i 5-ti në Francë dhe i 7-i në SHBA.

Aplikacionet e investimit dhe tregtisë ishin gjithashtu të suksesshme, me aplikacionin e kriptovalutave Coinbase (në vend të 6) në SHBA dhe Mbretërinë e Bashkuar në këtë klasifikim, ndërsa Binance renditej i 7-i në Francë. Aplikacioni Crypto trading Upbit ndërkohë kryesonte në Korenë e Jugut. Aplikacioni me pagesë, PayPay renditej i pari në Japoni. Kurse Robinhood ishte i dyti në SHBA.

Clubhouse ka rënë në sy në klasifikimet “breakout”, pasi ka fituar terren në tregje jo amerikane si Gjermania dhe Japonia, ku renditet përkatësisht në vend të 4-t dhe të 3-të. Ndërsa në Kinë, renditja ndryshon, ku fokusi është tek aplikacionet video si Tik Tok, Këai, CapCut e iQIYI.

Image Credits: App Annie

Burimi: Tech Crunch