Shumë prej votuesve mund të mos i njohin dot nga fytyra tre deputetët e rinj të Partisë SocialDemokrate. Por kjo nuk e ka penguar “nëndetësen” e Tom Doshit të dalë sërish në sipërfaqe me sukses në zgjedhjet e 11 majit.
Pa bujë, pa zhurmë, por me një teknologji elektorale që i garantoi më shumë vota se zgjedhjet e kaluara, Partia SocialDemokrate e Tom Doshit ka krijuar profilin e saj në terren, si një faktor atipik në zgjedhje, me plot pikëpyetje, pasi lundron në thellësi, ruan komunikimin e thjeshtë me njerëzit, nuk diktohet kurrë nga radarët e sondazheve, nuk luan me sloganet dhe imazhin në media, por në fund del me një rezultat të mirë që e përmirëson vit pas viti; 47 mijë e 513 vota dhe 3 mandate deputetësh – 1 në Tiranë dhe 2 në Shkodër.
Në qarkun Shkodër, PSD mori mbi 15 mijë vota, por surpriza e vërtetë doli në bashkinë e Vaut të Dejës, ku kjo parti rezultoi e para me mbi 5900 vota. Fitore që me gjasë i la një shije të hidhur kryeministrit Edi Rama, i cili vetëm pak ditë para zgjedhjeve i dërgonte sinjale të qarta kryebashkiakut Kristian Shkreli, kur ia përsëriti dy herë gjatë një takimi “Kristian, mos luaj me dy porta! Kristian, mos luaj me dy porta!”
Për shqetësimin e Ramës, në të njëjtën zonë u paraqit me një vizitë të pazakontë edhe kreu i SPAK, Altin Dumani, për të mbikëqyrur nga afër fushën e minuar që siç duket ia kërcënonte rezultatin e Partisë Socialiste. Por, me gjithë presionin dhe dyshimet, PSD arriti të përparojë, duke futur dy deputetë nga ky qark.
Presioni nga SPAK nuk mungoi për Tom Doshin në këto zgjedhje. Në ditët e fundit të fushatës u arrestua kreu i PSD-së në Malësinë e Madhe, me akuza për përfshirje në krime zgjedhore. Pas votimeve, SPAK sekuestroi celularit të Kristian Shkrelit dhe shoqëroi disa anëtarë të PSD-së. Më herët, Tom Doshi kishte folur pa dorashka.