Rritja e çmimeve për festat e fundvitit, qytetarët nuk festojnë pa bakllava e gjel deti

0
207

Rritja e çmimeve sidomos  gjatë dhjetorit me afrimin e festave të fundvitit duket se nuk i ndalon qytetarët të festojnë siç e do tradita.

Gazetarja e Ora News Anxhela Kurti, në emisionin ‘Ditë e re” doli në terren e pyeti qytetarët se sa i kanë ndjerë çmimet e rritura dhe se si do ta festonin Vitin e Ri me këto çmime.

Ata u shprehën se çmimet janë rritur, por bakllavaja dhe gjeli i detit nuk do të mungojnë në tryezë.

“Çmimet janë rritur: buka, makaronat, vaji. Gjelin e detit se kam marrë akoma. Por për ëmbëlsirë do të marrim bakllava, do ta blejmë.

Nuk ndjehet ndonjë rritje e madhe, rritje normale. Gjelin se kam blerë por do ta blej në ditët e fundit. Për ëmbëlsirë do të blemë një bakllava,” u shprehën qytetarët.

Megjithatë pati dhe nga ata që pensioni i ulët i kushtëzon në blerjet e fundvitit, duke zgjedhur dhe ëmbëlsira “alternative” më pak të kushtueshme se bakllavaja.

“Pensionet kanë bërë sikur i kanë rritur, por çmimet janë rritur dyfish-trefish, sidomos ushqimet e shportës. Ne jemi të moshuar dhe pensioni nuk na e lejon të festojmë por një tortë të vogël do ta marrim. Pak sa për  të ururar për Vitin e Ri.

Po presim ditët e fundit të blejmë të marrim 5000 lekëshin, se me aq vetëm gjysmë gjel deti mund të marrësh. Është turpi i botës me këto pensione. Për ëmbëlsirë do marrim kush të jetë më e lira,” thanë ata.