Në një moment kur çmimet e benzinës dhe naftës po kapnin shifrën rreth 2.1 euro për litër në qytetet e mëdha dhe shumë më tepër në rrethe apo ishuj, qeveria greke shpalli një paketë të re masash për të përballuar rritjen e vazhdueshme të tyre , si pasojë e tensioneve dhe luftës në Lindjen e Mesme.
Me një mesazh televiziv kryeministri Kyriakos Mitsotakis njoftoi katër ndërhyrje tek çmimet për muajt prill dhe maj, me një kosto totale rreth 300 milionë euro, me synim mbrojtjen e familjeve dhe ekonomisë nga vala e shtrenjtimit.Masa kryesore është subvencionimi i naftës për automjete.
“Shteti do ta subvencionojë në rrjetin e shpërndarjes, me 16 cent për litër. Kjo do të thotë se përfitimi për konsumatorin, por edhe për profesionistin, në çmimin përfundimtar me TVSH do të arrijë në 20 cent për litër”, tha ai.
Paralelisht, do të jepet ,ashtu si edhe ne momentet e fillimit të luftës me Ukrainën ,edhe Karta Digjitale e Karburantit, e cila mund të përdoret në pikat e furnizimit me karburant, në transportin publik dhe tek taksitë, për të lehtësuar barrën financiare të qytetarëve nga rritja e çmimeve të benzinës.
“”Mbështetje e cila mesatarisht llogaritet në 36 cent për litër. Pra, me një konsum mesatar mujor prej 70 litrash, masa përkthehet në 50 euro për dy muaj për Greqinë kontinentale dhe në 60 euro për banorët e ishujve. Kriteret për lëshimin e kësaj karte do të jenë të zgjeruara, në mënyrë që të mbulojnë rreth 3 nga 4 milionë pronarë automjetesh.
Paketa përfshin edhe ndihmë për sektorin bujqësor, me subvencionim prej 15% të kostos së plehrave kimike, si dhe kompensim për kompanitë e transportit detar, me kusht që të ofrojnë zbritje në biletat e udhëtimit, në mënyrë që çmimet të mbeten në nivelet e vitit të kaluar.
Qeveria thekson se fondet do të sigurohen nga buxheti i shtetit dhe nga taksimi i fitimeve të operatorëve të lojërave online, ndërsa paralajmëron se do të mbajë rezerva në rast të përkeqësimit të situatës ekonomike globale.


