Rritja e çmimit të patentave, Autoriteti i Konkurrencës i kërkon “llogari” DPSHTRR

0
91

Autoriteti i Konkurrencës ka kërkuar nga DPSHTRR, informacione lidhur me rritjen e çmimit të pantentave.

Përmes një njoftimi zyrtar Autoriteti i Konkurrencës, shkruan se nisur nga shqetësimet publike, lidhur me marrëveshjen ndërmjet Grupeve të interesit përfaqësues të autoshkollave dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor mbi  përcaktimin e kostos minimale fiskale kërkon më shumë detaje dhe informacion me qëllim vlerësimin e kufizimeve të mundshme të konkurrencës në tregun

Ata kanë kërkuar informacione nga Drejtoria e Përgjithshme të Tatimeve dhe Drejtoria e Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, me qëllim vlerësimin e kufizimeve të mundshme të konkurrencës në tregun përkatës.

Njoftimi i plotë:

Autoriteti i Konkurrencës, nisur nga disa shqetësime të bëra publike nga media në lidhje me marrëveshjen ndërmjet Grupeve të interesit përfaqësues të autoshkollave (Shoqata “Kombëtare e Autoshkollave” dhe Shoqata e Autoshkollave “Siguria në rrugë”), Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor mbi  përcaktimin e kostos minimale fiskale (tarifat e pagesës) së përgatitjes për drejtues mjeti, ka nisur procedurat për vlerësimin e kësaj marrëveshje në kuptim të ligjit nr. 9121/2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”.

Ligji nr. 9121/2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës” ndalon të gjitha marrëveshjet të cilat kanë si objekt ose si pasojë pengimin, kufizimin ose shtrembërimin e konkurrencës në treg, veçanërisht marrëveshjet që caktojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, çmimet e blerjes ose të shitjes, apo çdo kusht tjetër tregtimi.

Autoriteti i Konkurrencës, në zbatim të neneve 69 dhe 70 të ligjit nr. 9121 datë 28.07.2003 “Për Mbrojtjen e Konkurrencës”, vlerëson shkallën e kufizimit ose të pengimit të konkurrencës që rrjedh nga projekt aktet që kanë të bëjnë me: kufizimet sasiore për hyrjen në treg dhe tregtimin; vendosjen e të drejtave ekskluzive ose të të drejtave të veçanta, në zona të caktuara, për ndërmarrje ose për produkte të caktuara; imponimin e praktikave të njëjta në çmime dhe kushtet e shitjes.

Për sa më sipër , Autoriteti i Konkurrencës ka kërkuar informacion nga Drejtoria e Përgjithshme të Tatimeve dhe Drejtoria e Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, me qëllim vlerësimin e kufizimeve të mundshme të konkurrencës në tregun përkatës.