Banorët e Njësive Administrative Surroj dhe Kolsh protestuan përpara Bashkisë së Kukësit për ndërtimin e aksit rrugor Kukës-Surroj, i cili prej vitesh është në gjendje të degraduar.
Kjo rrugë i shërben disa fshatrave për t’u lidhur me qytetin, ndërsa banorët thonë se ndërtimi i saj iu është premtuar disa herë nga ministrja Balluku, por asnjëherë nuk janë marrë masa konkrete.
Banorët thonë se gjendja e rrugës përkeqësohet sidomos gjatë ditëve me shi. Ata paralajmërojnë bojkot të zgjedhjeve të 11 Majit, nëse nuk gjendet një zgjidhje.
Pas ngritjes së shqetësimit nga banorët e Njësive Surroj dhe Kolsh, News24 u interesua pranë Bashkisë së Kukësit, e cila bëri të ditur se rruga do të ndërtohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe është në fazë prokurimi.