Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi sot se po punohet për të gjetur financimin e dy loteve për rrugën Qukës-Qafë Plloçë.
Ajo iu referua historikut të ndërtimit të rrugës Qukës-Qafë Plloçë. “Janë hapur lote, të cilat kanë qenë të pafinancuara. Për shembull rasti i Lotit 3, ku financimi total, edhe në projektin e 2011-ës ka qenë 50 milionë euro, por janë gjetur vetëm 25 në atë kohë. Pra dhe ne sot kemi nisur të gjitha procedurat për të përfunduar gjetjen e financimit. MIE ka bërë të gjithë procesin e studimeve teknike. Çfarë duhet shtuar në këto lote? Cila është problematika? Kryeministri e ka thënë disa herë në media që në Qukës–Qafë Plloçë kemi një rast ekstrem që është gjetur njëra këmbë e urës 17 metra poshtë këmbës tjetër. Kemi bërë dhe një herë studimin teknik nga e para për të tre lotet”, tha Balluku e pyetur nga gazetarët për ecurinë e punimeve në këtë rrugë, gjatë një konference për shtyp së bashku me Kryeministrin Edi Rama me fokus tek infrastruktura.
Pra, shtoi Balluku, “ka pasur probleme teknike. Kemi pasur mungesë financimi. Janë projekte që kanë nisur pa financim. Pra jo me atë që ne sot po bëjmë. Për të dhënë dhe një argument pse projektet tona nuk kanë asnjë lidhje me projektet elektorale. Janë projekte me studim të thelluar. Janë projekte që ne nuk i nisim nëse nuk kemi siguruar financimin. Dhe padyshim janë projekte të cilat tashmë kanë një tabelë kohore afatesh kur bëhet gara, kur lidhet kontrata, kur realizohet projekti etj.”.
“Në rastin e Qukës–Qafë Plloçës, Ministria e Financave ka hyrë në bisedime me dy banka të mëdha ndërkombëtare për të finalizuar kërkesat e të tre loteve. Në Lotin 1 kemi arritur në 86.52, fizikisht punimet, por ndërkohë situacionet janë pranuar në 72%, pasi nuk korrespondon çfarë kanë qenë në preventiv me çfarë është bërë në terren. Nuk e vëmë në dyshim që nuk janë kompanitë që kanë abuzuar, pasi puna në terren ka qenë më e madhe se preventivi i kërkuar apo se projekti i bërë”, tha ajo.
Megjithatë, nënvizoi Balluku, “ne jemi atje edhe për të vendosur ligjshmërinë e këtyre projekteve. Nuk mund të pranojmë gjithçka, e cila po na vjen sot për mungesë të projekteve teknike”.
Kështu që, tha Balluku, “Ministria e Financave besoj që do të konkludojë shumë shpejt me njërën nga dy bankat, por padyshim me Fondin Saudit, e cila duhet të vazhdojë pjesën e financimit 50% e lotit të 3-të që i korrespondon 25 milionë eurove dhe ndërkohë ne po mundohemi që të gjejmë financimin për Lotin e 1-rë dhe të 2-të të mbetur të bllokuar prej vitesh”. /j.p/r.e/