Saga e vrasjeve për hakmarrje në Lezhë, 57-vjeçari viktima i tretë i familjes Kaza! Kush janë ‘kundërshtarët’ e tyre

0
77
CREATOR: gd-jpeg v1.0 (using IJG JPEG v80), quality = 85?

Një 57-vjeçar është gjetur i vrarë në orët e para të mëngjesit në oborrin e banesës së tij në fshatin Tale të Lezhës. Viktima, Pjetër Kaza, është zbuluar pa shenja jete rreth orës 05:00 nga bashkëshortja, ndërsa dyshohet se është qëlluar me armë zjarri.

Pjetër Kaza punonte në minierën e Spaçit dhe sipas të dhënave, ishte kthyer në banesë rreth orës 01:00 pas mesnate.

Dyshohet se vrasja e tij lidhet me një zinxhir të gjatë hakmarrjesh, që zanafillën e ka në vitin 1994, me vrasjen e Ndue Kazës, ish-shef i krimeve në qytetin e Rrëshenit.

Ndue Kaza u vra më 7 janar të vitit 1994 në mes të qytetit të Rrëshenit. Autorët e dyshuar të kësaj ngjarjeje ishin vëllezërit Dod dhe Augustin Gjini, të cilët u arratisën pas krimit. Tre vite më pas, në vitin 1997, Martin Kaza, vëllai i viktimës, ekzekutoi për hakmarrje vëllezërit Gjini në qytetin e Laçit, për çka u dënua me 22 vite burg.

Konflikti nuk u mbyll me kaq. Më 28 prill 2024, në Belgjikë, u vra një tjetër anëtar i familjes Kaza, Agustin Kaza, vëllai i Pjetrit. Ai u qëllua për vdekje në një lokal shqiptarësh në Bruksel, ku autorët e goditën disa herë në kokë dhe kraharor.

Pjetër Kaza është viktima e tretë në familjen Kaza në kuadër të këtij konflikti, i cili duket se vijon prej më shumë se tri dekadash. Hetimet e prokurorisë janë përqendruar në pistën e gjakmarrjes, ndërsa policia po punon për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.