Salmonela te shpendët, miratohet rregullorja me programet e kontrollit për operatorët e biznesit; Ja rastet kur do ndalohet importi

0
302

Ministria e Bujqësisë miratoi rregulloren për nisjen e hartimit të një programit të ri kombëtar të kontrollit të salmonelës te pulat, gjelat e detit dhe derrat.

Programi i ri do të përfshijë për kontroll fazat e zinxhirit ushqimor që nga prodhimi i ushqimit për kafshë, prodhimet primare me origjinë nga kafshët deri te produktet e përpunuara dhe përgatitja e ushqimit me origjinë shtazore.

Këto kontrolle nuk do të zbatohen për prodhimin për përdorim vetjak dhe furnizimin e drejtpërdrejt nga prodhuesi, në sasi të vogla të produkteve kryesore, për konsumatorin, si dhe për bizneset e shitjes me pakicë.

Rregullorja parashikon se pas miratimit të programit të kontrollit me afat 3-vjeçar, operatorët e biznesit, duhet të marrin dhe analizojnë mostra për të provuar prezencën e salmonelës, duke respektuar kërkesat minimale për marrjen e mostrave. Të gjitha rezultatet e analizave duhet të jepen përpara se kafshët të nisen për në thertore. Rregullorja shpreh se rezultatet e analizave duhet të regjistrohen, së bashku me datën dhe vendin e marrjes së mostrave dhe identifikimin e tufës ose grupit të shpendëve dhe kafshëve.

“Programet e kontrollit do të kenë parasysh shpërndarjen gjeografike të zoonozës brenda vendit dhe ndikimet financiare për prodhuesit kryesorë dhe operatorët e biznesit të ushqimit dhe ushqimit për kafshë, për vendosjen e kontrolleve efektive. Programet e kontrollit duhet të jenë të vazhdueshme dhe të mbulojnë një periudhë të paktën për 3 vjet, radhazi”, citohet në dokument.

Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë do të jetë qendra kombëtare e referencës për analizimin dhe testimin e pranisë të salmonelës. Si metode reference do të përdoren metodat dhe protokollet e rekomanduara nga standardet ndërkombëtare. Rezultatet e këtyre testimeve më pas do të kontrollet edhe nëpërmjet testimeve zyrtare.

Rregullorja ndalon testimin imunologjik nëse kafshët janë të vaksinuara, përveç rasteve nëse është vërtetuar se vaksina e përdorur nuk interferon me metodën e testimit të përdorur.

Sakaq importimi nga vendet e treta të kafshëve ose vezëve për çelje do të bëhet vetëm nëse këto vende zbatojnë një program kontrolli të barasvlershëm me ato të parashikuara në këtë rregullore dhe miratimi i tij është bërë nga Shërbimet e Komisionit Evropian.

Në rregullore parashikohet se edhe nga operatorët e biznesit të ushqimit dhe ushqimit për kafshë mund të dërgohet program i tyre i kontrollit dhe çdo amendim në të, nëse ata dëshirojnë që propozimet e tyre të kontrollit të jenë pjesë e një programi kombëtar.

monitor