Samiti i G-20 bën bashkë Putin me Zelenskyn? Të dy Presidentët ftohen në Indonezi

0
129

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky është ftuar në samitin e G20 në nëtor, ku do të marrë pjesë edhe Presidenti rus Vladimir Putin, tha të premten Presidenti i vendit pritës, Indonezia.

“Unë e kam ftuar Zelenskyn të marrë pjesë në samitin e G20”, tha Joko Widodo, duke sugjeruar se ishte arritur një kompromis pas presionit perëndimor për të ndaluar Rusinë nga ngjarja si përgjigje ndaj pushtimit të saj në Ukrainë.

Putin konfirmoi në një telefonatë me Widodo se do të marrë pjesë në samitin, i cili do të zhvillohet në ishullin Bali, tha udhëheqësi indonezian në  një fjalim të transmetuar drejtpërdrejt

Rusia është anëtare e G20-ës, ndërsa Ukraina jo.

Që nga fillimi i luftës në Ukrainë, Indonezia është përballur me presion të ashpër nga vendet perëndimore, të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara, për të ndaluar Rusinë nga samiti.

Por Xhakarta kishte këmbëngulur që  si mikpritëse, duhet të mbetet e paanshme, ndërsa Presidenti i SHBA-së, Joe Biden kishte sugjeruar se Ukraina mund të merrte pjesë.

Zelensky kishte njoftuar në një postim në Twitter se ishte ftuar në samit nga Indonezia të mërkurën, pas një telefonate me Widodo.