
Haxhi 2025 do të shënojë herën e fundit kur pelegrinazhi vjetor mbahet gjatë sezonit të verës, e kjo për të paktën 16 vitet e ardhshme.
Arsyeja përse autoritetet saudite kanë vendosur të ndërmarrin një hap të tillë, janë temperaturat e larta, që me kalimin e kohës gjithmonë e më shumë po mbërrijnë nivele ekstreme. Lajmin e konfirmoi Qendra Kombëtare e Meteorologjisë së Arabisë Saudite, NCM.
Ndryshimi vjen nga kalendari hënor islamik, i cili lëviz rreth 10 ditë më herët çdo vit, e për rrjedhojë, Haxhi gradualisht do të kalojë në pranverë duke filluar nga viti 2026, dhe më pas në dimër. Vitin që shkoi, termometri në Mekë arriti të shënonte deri në 51 gradë Celsius, duke shkaktuar mbi 2700 raste goditjeje nga i nxehti brenda vetëm një dite, me disa vdekje të raportuara.
Nga viti 2026 deri në vitin 2033, Haxhi do të jetë gjatë muajve të pranverës, e më pas, nga viti 2034 deri në vitin 2041, do të mbahet në dimër. Dhe pelegrinët nuk do të përballen më me kushtet e verës deri në vitin 2042, kur cikli do të përsëritet.
Këtë vit, Haxhit pritet t`i bashkohen rreth 1.8 milionë vetë. Zyrtarët sauditë po përgatiten praktikisht për një pelegrinazh të fundit veror përpara se Haxhi të nisë të organizohet gjatë ditëve më të freskëta.
