Seanca ndaj Veliajt, Ajola Xoxa dërgon avokatin: Është shtatzënë, e ka të ndaluar nga mjeku

0
2

Ajola Xoxa, bashkëshortja e Erion Veliajt nuk është paraqitur sot në GJKKO për gjyqin. Mësohet se Xoxa ka dërguar në sallë avokatin Maks Haxhia.

Ai ka deklaruar se, Xoxa nuk mund të marrë pjesë në seancë pasi ia ka ndaluar mjeku të shkojë për shkak se është shtatzënë.

“Klientja është në pamundësi shëndetësore, është shtatzënë, ia ka ndaluar mjeku që të vijë, i kam kërkuar të sjellë aktin e mjekut.”, tha Haxhia.

Erion Veliaj u arrestua më 10 shkurt, pasi akuzohet se, së bashku me bashkëshorten Ajola Xoxa, ndërtuan një skemë komplekse korrupsioni dhe pastrimi parash për të përfituar në mënyrë të paligjshme nga fondet e bashkisë së kryeqytetit dhe ryshfete nga biznesmenë kontraktorë të saj, duke përdorur një rrjet kompanish dhe organizatash jofitimprurëse.

Sipas SPAK, kryebashkiaku i kryeqytetit dhe bashkëshortja e tij kanë përfituar rreth 1 milion euro nga kjo skemë korruptive, para që janë përdorur kryesisht për blerje luksoze në internet nga Ajola Xoxa.

Ndërkohë kërkesat e njëpasnjëshme të Erion Veliajt për të dalë nga qelia janë rrëzuar nga gjykatat e të gjitha niveleve.

GEAR Sh.p.k