Sejko: Çmimet do të vijojnë të mbeten të larta gjatë viteve 2022 dhe 2023

0
132

Në një konferencë ditën e sotme për mediat, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko u shpreh se po përballet vendi ynë për shkak të rritjes së çmimeve, si pasojë e luftës në Ukrainë.

Sejko bëri me dije se ekonomia do të vijojë të rritet gjatë vitit 2022 e në vijim, ndërsa inflacioni do qëndrojë mbi objektivin e BSH për 2 vite.

Ai tha se të dhënat që vijnë nga tregjet e huaja sinjalizojnë se çmimet në tregjet ndërkombëtare do të vijojnë të mbeten të larta gjatë viteve 2022 dhe 2023.

Sejko: Tensioni gjeopolitik do të japë një goditje të dyfishtë – direkte nga kahu i ofertës dhe indirekte nga kahu i kërkesës – mbi ekonominë shqiptare. Megjithatë, bazuar në analizat dhe projeksionet aktuale, Këshilli Mbikëqyrës vlerëson se ekonomia shqiptare do të vijojë të rritet gjatë vitit 2022 e në vazhdim. Nga ana tjetër, Këshilli Mbikëqyrës vlerëson se inflacioni do të qëndrojë mbi objektivin e Bankës së Shqipërisë gjatë pjesës më të madhe të dy viteve në vijim. Inflacioni i çmimeve të konsumit shënoi rritje në tremujorin e parë. Sipas të dhënave të Instat-it, ky inflacion regjistroi nivelet 3.7% dhe 3.9%, respektivisht në muajt janar dhe shkurt. Ndonëse të dhënat e plota zyrtare mungojnë, informacioni i disponuar tregon një rritje të mëtejshme të çmimeve në muajin mars.

Të dhënat që vijnë nga tregjet e huaja sinjalizojnë se çmimet në tregjet ndërkombëtare do të vijojnë të mbeten të larta gjatë viteve 2022 dhe 2023. Këto çmime të larta do të gërryejnë fuqinë blerëse të familjeve dhe do të shoqërohen me ngadalësim të ritmit të rritjes në rang botëror. Megjithatë, vlerësimet e skenarit bazë sugjerojnë se ekonomia shqiptare do të vijojë të rritet gjatë vitit 2022 dhe në afatin e mesëm. Po ashtu, projeksionet tona tregojnë se rritja ekonomike do të mbetet në territor pozitiv edhe në rast se goditja rezulton më e fortë se vlerësimet aktuale.

Sipas skenarit bazë të parashikimeve, inflacioni do të luhatet rreth nivelit 5-6% për pjesën e mbetur të vitit 2022. Më tej, me qetësimin e pritur të tregjeve ndërkombëtare, inflacioni pritet të vijë në rënie gjatë vitit 2023 dhe të kthehet në objektiv në tremujorin e fundit të tij.