Sekuestrimi i llogarisë bankare, Apeli rrëzon kërkesën e Arben Ahmetajt

0
131

Gjykata e Apelit të Posaçëm ka lënë në fuqi masën e sekuestros për lirimin e llogariaë bankare. Togat e zeza të apelit refuzuan kërkesën e ish zv.kryeministrit për heqjen e sekuestros së llogarisë bankare të bllokuara nga SPAK.

Që prej 21 shtatorit ish deputeti është në kërkim pas lëshimit të masës së sigurisë “arrest me burg”, në mungesë.  Ish-numri 2 i qeverisë, u shpall në kërkim ndërkombëtar në Korrik 2023 për çështjen e inceneratorëve. Ai akuzohet për “mosdeklarim, deklarim të rremë dhe fshehje të pasurisë”, vetëm dhe në bashkëpunim, “Korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” në 6 raste, “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Në kuadër po të këtij hetimi për të cilin ai është shpallur në kërkim, SPAK i sekuestroi ish-zëvendës kryeministrit 4 apartamente në pronësi të tij si dhe 2 llogari bankare në të cilat kishte të depozituar rreth 124 mijë Euro.

Në fillim të muajit tetor ai u vu sërish në hetim nga SPAK për një tjetër dosje për të cilën iu ngrit akuza e “Shpërdorimit të detyrës”. Bëhet fjalë për dosjen e privatizimit të ish-fabrikës së Bukës në rrugën 5 Maji në kryeqytet, procesi i të cilës është realizuar në kohën kur Ahmetaj ka qenë ministër i Financave.

Mësohet se ndonëse akuza për ish-zëvëndëskryeministrin është ajo e “Shpërdorimit të detyrës”, ky procedim po hetohet edhe për vepra të tjera penale. Nga sa mësohet, krahas Ahmetajt deri tani në hetim janë vënë edhe 8 persona të tjerë ish-zyrtarë dhe jo vetëm, si dhe një subjekt.

Të njëjtat burime bëjnë me dije se ish-zëvendëskryeministri ka dyshime se ka favorizuar në ankand kompaninë fituese për privatizimin e ish-fabrikës së Bukës, në të cilën sot është ndërtuar një qendër tregtare. Dëmi ekonomik i përllogaritur lidhur me këtë procedurë privatizimi arrin në vlerën 7 miliard lekëve të vjetra.