Sekuestrohen 30 mijë euro të padeklaruara në Kapshticë, procedohet 66-vjeçari

0
2

Shërbimet e Policisë Kufitare në Drejtorinë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Korçë kanë goditur një rast të mosdeklarimit të parave në Pikën Kufitare të Kapshticës. Si rezultat, u sekuestruan 30 500 euro dhe u procedua penalisht një 66-vjeçar nga Tirana.

Ngjarja ndodhi në dalje të territorit shqiptar, ku, në bashkëpunim me autoritetet doganore, automjeti tip “Benz” me drejtues shtetasin B. S. u kalua për kontroll të detajuar në vijën e dytë. Gjatë kontrollit, u gjetën të fshehura 30 500 euro, të cilat ky shtetas po tentonte t’i transportonte jashtë vendit, pa i deklaruar sipas detyrimeve ligjore.

Në vijim të veprimeve procedurale, materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë. Ndaj shtetasit B. S., 66 vjeç, banues në Tiranë, ka nisur procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”.