Nga 1 maji në 14 korrik, numri i bizneseve që kanë kaluar në status pasiv është rritur me 54% me bazë vjetore. Sipërmarrësit shprehen se mungesa e tregut dhe klientelës po i detyrojnë të mbyllin aktivitetin. Më të prekur nga kriza janë bizneset e pakonsoliduara, të ngritura 5 muaj apo 1 vit para pandemisë. Në rrugën “Myslim Shyri”, për shkak të krizës nga COVID-19, kanë falimentuar dyqanet e tregtimit të veshjeve të markave të njohura, që ushtronin aktivitet prej 20 vitesh. Të vegjlit do e kenë më të vështirë të përballojnë krizën e konsumit, që vetëm sa u thellua nga pandemia
Nga Dorina Azo
Dy dyqanet e veshjeve të markës “Breezy” në Tiranë, ai në rrugën “Myslym Shyri” dhe në QTU, u mbyllën për shkak të krizës nga COVID-19, ndërsa 13 punonjës dolën të papunë. Mungesa e blerësve dhe rënia e shitjeve të veshjeve detyruan administratoren e kompanisë GFU-Al, Nereida Prezja, të kalojë në pasiv aktivitetin e shitjes së veshjeve të markës së njohur.
“Mbyllja e dyqaneve erdhi drejtpërdrejt për shkak të krizës nga COVID-19. Furnizimi me mallrat e sezonit të pranverës, që u ble në muajin shkurt, mbeti stok për shkak të karantinës dhe nuk arritëm t’i shisnim. Nga shteti nuk patëm asnjë ndihmë, qiratë dhe detyrimet i kemi paguar të gjitha”.
Në periudhën e karantinës, zonja Prezja shpjegon se edhe ecuria e shitjeve online ishte e ulët, pasi blerësit shfaqën më shumë interes për produkte të tjera. Edhe pas hapjes së ekonomisë, shitjet e veshjeve, sipas saj, ishin në rënie. “Ndjekjen e shitjeve online e kryejmë nga një kompani zyrtare e huaj, që na shpjegoi se gjatë karantinës, më shumë janë shitur makinat e qethjeve që përdorin berberët dhe enët e kuzhinës, ndërsa interesi për veshjet nuk ishte i lartë.
Edhe pas hapjes të ekonomisë, nuk kishte treg, asnjë shitje në dyqan. Nëse nga shteti do të kishim të njëjtat mbështetje për biznesin, siç mori vëllai dhe motra ime që jetojnë në Gjermani dhe në Itali, ne do të arrinim të mbijetonim”, theksoi zonja Prezja.
Nga vëzhgimi i “Monitor”, në rrugën “Myslym Shyri” në Tiranë, ku ndodhen një numër i madh biznesesh, aktualisht shumë dyqane janë të mbyllura, sidomos ato të tregtimit të parfumeve, veshjeve, luleve natyrale, materialeve të ndërtimit dhe Fast-Food. Në vend sipas të dhënave të Drejtorisë të Përgjithshme të Tatimeve në total janë 3,568 biznese me pakicë të veshjeve dhe 582 biznese të tregtimit me pakicë të këpucëve dhe artikujve prej lëkure. Ato zënë rreth 4% në totalin e ndërmarrjeve.
Agimi, pronar i një ambienti tregtar, i cili prej vitesh e jep me qira në rrugën “Myslym Shyri”, thotë se për shkak të mungesës së punës, dyqani është lënë nga qiramarrësit që tregtonin prej 20 vitesh veshje grash. Interesimi për ta marrë sërish ambientin me qira nga të tjerë është i ulët.
Biznesi i vogël po arrin të mbijetojë me vështirësi në përiudhën pas karantinës, pasi siç thonë vetë sipërmarrësit, po vuajnë mungesën e tregut dhe të blerjeve. Roza nga Durrësi, në janar të këtij viti, mori një ambient me qira në rrugën “Myslym Shyri” për shitjen e luleve natyrale. Gjatë karantinës nuk shiti online, pasi për shkak të kufizimeve e kishte të pamundur lëvizjen. Por në gati 3 muaj pezullim aktiviteti, dëmet ishin të konsiderueshme, pohon ajo, pasi të gjithë lulet që kishte marrë ishin dëmtuar.
Roza shprehet për “Monitor” se me hapjen e dyqanit nga 27 prilli, xhiro ka rënë, pasi individët kanë tkurrur shpenzimet për lule. “Pas hapjes së dyqanit nga fundi i muajit prill po punoj vetëm për shlyerjen e qirasë, 750 euro në muaj, dhe për detyrimet. Nëse më përpara një qytetar shpenzonte 3 mijë lekë për një buqetë lule për funeral, sot nuk shpenzon më shumë se 1,500 lekë. Gjithashtu, gjatë stinës së verës, dyqanet e luleve nuk kanë shumë punë, pasi shumë njerëz zgjedhin që ditëlindjet t’i bëjnë në Jug të Shqipërisë, por në periudhë normaliteti rënia e shitjeve kompensohet me shitjet e luleve për dasma.
Puna për shitjet e luleve të dasmave niste që të enjten e deri të dielën. Ndalimi i tyre na ka penalizuar”. Zonja Roza thotë se do të presë se çfarë do të ndodhë deri në shtator dhe më pas do të vendosë nëse do të vijojë apo jo aktivitetin.
Maj-14 korrik, rriten me 54% bizneset e mbyllura
Maji ishte muaji i parë që rifilloi hapja e aktiviteteve private, pas gati dy muajsh izolimi të plotë. Por, shumë biznese nuk po arrijnë të përballojnë pasojat e mbylljes dhe tkurrjes së konsumit. Të dhënat e përpunuara nga Monitor, bazuar në listën e subjekteve pasive që publikohet nga tatimet, tregojnë se nga 1 maji deri në 14 korrik, numri i bizneseve që kanë kaluar në status pasiv është 54% më i lartë se në të njëjtën periudhë të një viti më parën(rreth 1,500 gjithsej, krahasuar me 950 në 2019-n).
Në 2 javët e para të korrikut, subjektet që kërkuan të pezullonin aktivitetin ishin dy herë më të larta se një vit më parë, ndikuar dhe nga sezoni i dobët turistik. Bizneset e mbyllura, përqendrohen në Qarkun e Tiranës, Durrësit, Elbasanit dhe Vlorës. Më të prekur nga kriza janë subjektet e reja, të ngritura 5 muaj apo 1 vit para pandemisë, siç pohojnë edhe vetë sipërmarrësit. Monitor zhvilloi një anketim me disa prej subjekteve që kanë kaluar në status pasiv, bazuar në një përzgjedhje rastësore të listës së përditësuar nga tatimet.
Elisabeta Piperi, 24 vjeç, para 5 muajsh hapi dyqan për veshjet në zonën “Komuna e Parisit” në Tiranë, me mbështetjen financiare të prindërve. Elisabeta tregon se pas përfundimit të studimeve për administrim të shërbimeve sociale nuk po arrinte të punësohej dhe e shihte si perspektivë nisjen e një aktiviteti tregtar për të ardhmen.
“Dyqanin e mbylla në periudhën e karantinës, për shkak të mungesës së punës dhe fitimit. Çdo e ardhur shkonte për pagesat e sigurimeve, taksave vendore dhe qirasë. Shitjet online i ndala, pasi dërgesat bëheshin të pamundura për shkak të kufizimeve. Gjithashtu njerëzit nuk ishin të interesuar të blinin veshje në periudhën e pandemisë, pasi të gjithë ishin të pasigurt, nuk e dinin se sa do të zgjaste pandemia. Lehtësitë fiskale dhe mbështetja për të rinjtë që duan të hapin një biznes në Shqipëri janë zero dhe kjo e vështirëson vazhdimin e aktivitetit. Ishte shumë e vështirë të përballoje pagesat, pa pasur një të ardhur tjetër, pasi xhiro pothuajse nuk kishte fare dhe për këtë u detyrova ta mbyll dyqanin.”
Fation Çela, 38 vjeç, ka përfunduar studimet e larta në Itali për arkitekturë. Prej dy vitesh është kthyer në Shqipëri, ndërsa para një viti vendosi të hapë në zonën e “Don Boskos” një studio arkitekture, që shërben për dhënien e asistencës studentëve të arkitekturës dhe shitje materialesh arti dhe arkitekture. “Për shkak të mbylljes së universiteteve nga pandemia, nuk kisha më punë, pasi aktiviteti im fokusohet në zhvillimin e kurseve private për studentët e arkitekturës. Para pandemisë, puna ka shkuar mirë. Për rihapjen e dyqanit, do të shoh se si do të shkojë situata deri në muajin tetor, kur pritet të hapen universitetet dhe më pas do të vendos.” Zoti Çela nuk i përfitoi 3 pagesat me vlerë 26 mijë lekë secila nga paketa e parë e ndihmës financiare të qeverisë, pasi profesionet e lira përjashtoheshin nga nisma.
Në planin e saj financiar për të përballuar situatën, Qeveria parashikoi mbështetje direkte për biznesin e vogël, me qarkullim deri në 14 milionë lekë, nëpërmjet dhënies së 3 pagave minimale prej 26 mijë lekësh (e ashtuquajtura paga e luftës). Sipas të dhënave të Ministrisë të Financave, këstin I e përfituan rreth 65 mijë individë në 38 mijë biznese. Fondi i paguar ishte rreth 1,7 miliardë lekë. Këstin II e përfituan 64 mijë individë, në rreth 38 mijë biznese dhe fondi i paguar ishte rreth 1,6 miliardë lekë. Edhe kësti III u përfitua nga 64 mijë qytetarë dhe fondi i lëvruar ishte 1,6 miliardë lekë.
Kevin Salohehaj, bashkë me vëllain, prej dy vitesh drejtonin një “Fast-Food” në zonën e Pishave të Buta në Golem, por pas karantinës u detyruan të pezullonin aktivitetin, pasi nuk kishte më punë. “Biznesi ynë është sezonal dhe ne operojmë vetëm në muajt e verës. Pas karantinës nisëm sërish aktivitetin, por pas 5 ditësh e mbyllëm, nuk kishte fare punë. Nuk kishim mundësi financiare që të paguanim detyrimet, ndërkohë që xhiro nuk kishte, klientë po ashtu. Në krahasim me vitet e tjera, puna ishte zero”, shprehet përfaqësuesi i biznesit. Zoti Solohehaj thotë se atyre iu është refuzuar aplikimi për përfitimin e tre pagave minimale, me paketën financiare I, për shkak se janë të vetëpunësuar sezonalë.
Pesimizmi dhe paqartësia për të nisur sërish biznesin ndihet edhe te Eva Ismailaj, 31 vjeçe, e cila ka përfunduar studimet e larta për inxhinieri ndërtimi. Në muajin maj 2020, pas përfundimit të karantinës hapi në vendlindjen e saj, në Gramsh, zyrën si eksperte e vlerësimit të pasurive të paluajtshme. “Kompaninë e mbajta të hapur vetëm një muaj, por për shkak të mungesës së klientëve dhe pasigurisë së krijuar nga pandemia u detyrova ta mbyll biznesin. Gjatë kësaj periudhe kam punuar vetëm për një kontratë. Ende nuk kam vendosur nëse do të rihap aktivitetin pas muajve të verës.”
Pse po falimentojnë të vegjlit
Alban Isteri, kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, në Durrës, konfirmon të njëjtët faktorë ashtu si biznesi i vogël, për mbyllje të aktivitetit: rënien e xhiros nga mungesa e shitjeve, pasi blerësit ndihen të pasigurt për muajt në vazhdim dhe po kursejnë të ardhurat.
“Bizneset e vogla si bare, restorante, dyqane veshjesh janë në gjendje të rënduar financiare. Të gjitha sipërmarrjet e vogla raportojnë rënie të lartë të xhiros, për shkak të mungesës të shitjeve. Më në vështirësi nga situata e krijuar janë bizneset e reja, pasi nuk janë të konsoliduar, por kanë një kontribut të madh në punësim dhe në aspektin social. Konsumi i brendshëm është ulur.
Shtimi i rasteve me COVID-19 po ndikon në uljen e mëtejshme të shpenzimeve të individëve, pasi ndihen të frikësuar dhe të pasigurt se çfarë do të ndodhë në muajt e ardhshëm. Ata të cilët kanë mundësi financiare po kursejnë të ardhurat dhe shpenzimet pothuajse i kanë minimizuar. Më të prekurit në këtë periudhë janë edhe bizneset e tregtimit të artikujve të luksit, artit, bizneset e organizimit të eventeve dhe dasmave”.
Pritet mbyllje masive e aktiviteteve, në shtator
Në muajin shtator, pas përpjekjeve të biznesit të vogël për të mbijetuar gjatë verës, sipas ekspertit të ekonomisë, Sherefedin Shehu, pritet të ketë mbyllje masive të tyre, nëse qeveria nuk do të hartojë nisma të reja mbështetëse.
“Praktikisht bizneset, jo vetëm që ankohen publikisht për gjendjen e vështirë dhe pamundësinë për të mbijetuar, por një pjesë e tyre janë mbyllur dhe vazhdojnë të mbyllen.
Në periudhën e verës, këto biznese do të tentojnë të jetojnë, por nëse nuk do të ketë një program serioz mbështetës, falimentimet janë të pashmangshme, pasi këtë e tregojnë edhe treguesit makroekonomikë. Vlerësimet e Bankës Botërore për rritje të varfërisë, minimalisht në nivelin 40%, do të thonë se do të ketë rënie të ndjeshme të produktit, të shërbimeve, të punësimit. Të gjitha këto do të sjellin mbylljen e një pjese të konsiderueshme të bizneseve”.
Shehu shprehet se rimëkëmbja e ekonomisë, nuk mund të vijë nga bizneset që janë në proces falimenti, apo në kushte mbijetese dhe në mungesë totale deri tani të mbështetjes. “Perspektivën e shoh të zymtë, jo vetëm në periudhën afatshkurtër, por edhe atë afatmesme.
Ekonomia shqiptare, përveç goditjes nga pandemia, goditjen më të madhe, po e merr nga mungesa e një mbështetje serioze, sepse bizneset më parë kanë pasur problematikat e tyre sektoriale. P.sh, sektori i turizmit ka pasur problem konkurrueshmërinë e ulët në rajon, për shkak të kostos së lartë fiskale. Një kosto e shtuar për biznesin është edhe mungesa e infrastrukturës.
Bizneseve iu shtohet edhe kostoja për zbatimin e protokollit kundër pandemisë. Gjykoj se është e vështirë që të gjitha bizneset të mbijetojnë, për shkak të rënies ekonomike, mungesës së të ardhurave për një periudhë 4-mujore dhe mungesës së politikave mbështetëse nga qeveria, të cilat rrisin riskun e falimentimit. Ndoshta nuk do të kemi procedura standarde falimentimi nëpërmjet procesit gjyqësor, sepse në Shqipëri, më shumë bizneset janë familjare që operojnë në informalitet të plotë apo gjysmë informalitet”.
Falimentojnë call center e vegjël
Vitet e fundit, sektori i call center është kthyer në një punëdhënës të rëndësishëm, veçanërisht për të rinjtë. Por shumë prej kompanive të vogla të sektorit në periudhën e karantinës vuajtën mungesën e infrastrukturës dhe logjistikës për të punuar nga shtëpia, që po ndikon në mbylljen e tyre.
Anxhela Kashari, administratore e kompanisë call center, AML Marketing në Tiranë, thotë se arsyet që e detyruan të mbyllte biznesin ishin mungesa e punës dhe pamundësia financiare për të paguar detyrimet. Në kompaninë AML Marketing ishin 14 të punësuar.
“Puna në një call center konsiston në prodhim (afrim klientësh ose shitje shërbimi ose produkti) që domethënë se nëse s’ka prodhim, atëherë është shumë e vështirë vazhdimësia. Para periudhës së mbylljes kishim disa luhatje dhe na u desh të shkurtonim personelin. Gjatë karantinës, pavarësisht dhënies së ‘pagës së luftës’, disa kosto mbeten fikse, siç janë qiraja, interneti dhe shpenzime të tjera ekstra.
Përveç kësaj, na duhej të shtonim një pjesë të pagës së punëtorëve, e përcaktuar, sipas kontratës të punës. Pasiguria për ditët në vazhdim ishte një arsye më tepër. Na u desh të bënim një hap pas dhe për momentin po presim që situata të normalizohet disi. Duke pasur parasysh që muajt e verës janë më pak produktivë, deri në muajin shtator do të jemi ‘stand by’. Po rishikojmë mundësinë e rihapjes në një moment të dytë.”
Pas përfundimit të karantinës, situata është përmirësuar për Alketion Calin, drejtues i kompanive call center “Icon Albania” dhe i “Icontact” për shërbim telemarketingu, i cili pohon stabilizim të situatës. “I jemi rikthyer prodhimit dhe nuk duam të rrezikojmë mosrealizimin e kontratave të bashkëpunimit. Për shkak të rënies së kërkesës nga situata e krijuar prej pandemisë, do të duhet kohë të kthehemi në normalitet dhe të rikuperojmë humbjet e këtyre tre muajve. Deri në fund të vitit do të punohet vetëm për të paguar shpenzimet dhe kostot e tjera, dhe deri diku për rikuperimin e dëmit”.
Në këto dy kompani janë të punësuar 150 punonjës. Zoti Cali thotë se në zyrë po punojnë 40% e kapacitetit të fuqisë punëtore, për shkak të ruajtjes të distancës. “Nga pjesa tjetër e mbetur e punëtorëve vetëm 20% e tyre po punojnë nga shtëpia, ndërsa të tjerët për shkak të mungesës së infrastrukturës, sidomos ata që jetojnë në konvikt, mungesës së internetit për rastet kur instalimi është i pamundur, për këto arsye nuk mund të punojnë nga shtëpia. Pra gati 30% e punonjësve nuk po punojnë”.
“Bizneset që mbyllen nga kriza, nuk do të rihapen”
Agron Shehaj, njohës i sektorit call center, parashikoi më herët mbyllje të bizneseve të vogla, për shkak të mospërballimit të punës në distancë dhe kostove të pagave. Zoti Shehaj theksoi se bizneset e vogla që mbyllen për shkak të krizës nuk pritet të rihapen.
“Përkeqësimi i situatës, do të sjellë sigurisht efekte për industrinë, sidomos te kompanitë e vogla, të cilat do të shkurtojnë vendet e punës. Për ato kompani që nuk janë të gjendje të realizojnë punën në distancë, për shkak të mungesës të kushteve, mendoj se janë totalisht të braktisura nga qeveria.
Kredia nëpërmjet garancisë sovrane nga shteti, si një nga pikat e propozuara nga qeveria, nuk mund të funksionojë për pagat. Është e paimagjinueshme që sipërmarrësit, të cilët kanë biznese të mbyllura të hyjnë në borxhe për të paguar pagat, pa asnjë afat, pa ditur nëse do të hapen sërish ato biznese. Duhet të jemi të vetëdijshëm që bizneset të cilat mbyllen për shkak të krizës nga koronavirusi, nuk do të hapen më”.
Sipas zotit Shehaj, problem shumë i madh, i cili nënvlerësohet, është kostoja e lartë e krahut të punës në këtë industri. “Në sektorin e call center dhe në fason, kostoja e punës është sa 30% e totalit të kostove për këto biznese. Kjo e bën të pamundur që biznesi të përballojë pagat e punonjësve, të cilat zënë pjesën më të madhe të pagesave, pavarësisht se këta punonjës nuk prodhojnë.
Në rast se kjo kosto nuk gjeneron të ardhura, nuk mund të përballohet. Për disa kompani, kjo kosto është 1 milion euro në muaj. Si do t’ia dalin këto kompani? Do të paguajnë çdo muaj 1 milion euro koston e pagave, ndërkohë që punonjësit nuk punojnë. Është e pamundur, pasi nuk është investim, si për shembull ndërtimi i një hidrocentral, ku kostoja e fuqisë punëtore është 5% e kostos totale”.
Bizneset e vogla kishin filluar të mbylleshin edhe para krizës së Covid-19
Sipas INSTAT, në vend, deri në fund të vitit 2019 kishte gjithsej 117 mijë subjekte, pa përfshirë ndërmarrjet bujqësore, me një tkurrje prej 4% me bazë vjetore. Nga totali i sipërmarrjeve jo bujqësore në vend, 85% e tyre janë të vogla, me 1-4 punonjës, pjesa më e madhe e të cilave ushtrojnë aktivitet në tregti, shërbime dhe akomodim e shërbim ushqimor (bare e restorante).
Vit pas viti, numri i ndërmarrjeve me 1-4 të punësuar po vjen në rënie, si rrjedhojë e konkurrencës nga qendrat tregtare, zinxhirët e mëdha të supermarketeve, orientimin e blerjeve online si dhe rënies së konsumit. Në 2019-n u mbyllën rreth 4,300 biznese, shumica e tyre në tregti dhe akomodim dhe shërbim ushqimor, sipas INSTAT.
Në bizneset me 1-4 të punësuar, sigurojnë jetesën rreth 151 mijë persona, ose gati 30% e totalit të të punësuarve në sektorin privat në vend. Shqipëria ka si karakteristikë dhe nivelin e lartë të vetëpunësimit, me gati 35% të totalit, më i larti në rajon dhe i dyti në Europë, pas Turqisë.