Senegali në “parajsë”, Koulibaly kualifikon afrikanët, Ekuadori largohet (VIDEO)

0
84

Çfarë ndeshje, Senegali me zemër mund Ekuadorin në një ndeshje ku i duhej vetëm fitorja për të kaluar grupin si i dyti. E bëri një gjë të tillë kampionia e Afrikës me njeriun lider, Kalidou Koulibaly që iu kundërpërgjigj barazimit momental të Caicedos në pjesën e dytë të takimit që u bë vërtet spektakolare.

Përballje nervash në “Khalifa International Stadium” mes ekipit të Aliou Cisse dhe amerikano-jugorëve që kishin zhvilluar një botëror për t’u lavdëruar deri në këtë pikë, por nuk arritën të ruanin minimalisht një barazim që do t’i kishte katapultuar si të dytët e grupit A për të vazhduar ëndrrën Katar 2022. Koulibaly kërceu fuqishëm me kokë në minutën e 70 duke kaluar portierin Galindez vetëm pak minuta pasi Ceicedo kishte barazuar rezultatin duke rikthyer momentalisht qetësinë në kampin e skuadrës së verdhë.

Ndeshjen e kishte zhbllokuar në pjesën e parë nga largësia e 11-metrave Sarr duke konkretizuar dominimin absolut të Senegalit në fraksionin e parë të takimit. Me këtë fitore, Senegali ngjitet në kuotën e 6 pikëve dhe lë poshtë Ekuadorin me 4 ndërsa Katari e mbyll grupin pa asnjë pikë në 3 raundet e kësaj faze të parë. Senegali do të ndeshet në fazën tjetër me ekipin e parë të grupit B.