Në Serbi kanë nisur të hiqen barrikadat dhe të normalizohet trafiku, pasi mijëra protestues antiqeveritarë në orët e para të 30 qershorit bllokuan rrugët në disa qytete serbe dhe kërkuan lirimin e protestuesve të cilët u ndaluan nga policia, teksa protestat po rrisin presionin ndaj presidentit populist, Aleksandër Vuçiç.
Protestuesit, të udhëhequr nga studentët, vendosën barrikada metalike dhe kosha mbeturinash nëpër rrugët e Beogradit dhe bllokuan urën Gazela, që gjendet mbi lumin Sava.
Agjencitë e lajmeve raportuan se protestuesit në Novi Sad – ku nisi kjo valë protestash antiqeveritare tetë muaj më parë – rrethuan zyrat e Partisë Progresive Sebe (SNS) të Vuçiçit, duke goditur ndërtesën me vezë.
Një ueb-faqe është krijuar nga studentët organizatorë ku është bërë e ditur se në 30 pika në kryeqytetin serb ishin ngritur barrikada, duke shtuar se veprime të ngjashme po kryeheshin në të paktën 22 qytete të tjera serbe.
Protestat u intensifikuan pasi zyrtarët policorë nisën të ndalonin pjesëmarrësit në tubimin masiv që u mbajt në Beograd më 28 qershor.
Vuçiq deklaroi se agjencitë e zbatimit të ligjit pritet të kryejnë “shumë më tepër arrestime”.
Turmat antiqeveritare u rikthyen në rrugë mbrëmjen e 29 qershorit, duke kërkuar lirimin e dhjetëra personave të ndaluar në natën e parë të protestës.