Serbia, Shqipëria dhe Kosova kanë rritur ndjeshëm kapacitetet e prodhimit të energjisë elektrike në dy dekadat e fundit dhe pjesa më e madhe tyre është nxitur nga investimet që erdhën nga vendet e Bashkimit Europian.
Sipas të dhënave të Eurostat, nga viti 2000 deri më 2017 Serbia i rriti kapacitetet e prodhimit të energjisë me 150 për qind. Pas Serbisë, Shqipëria dhe Kosova i zgjeruan kapacitetet prodhuese me nga 50 për qind secila për të njëjtën periudhë. Maqedonia dhe Mali i Zi kryen më pak investime duke e zgjeruar prodhimin energjisë përkatësisht me 26 dhe 6%.
Përveç investimeve në zgjerimin e kapaciteteve vendase, shtetet e Ballkanit kanë rritur integrimin në tregun e brendshëm rajonal dhe në atë të BE-së duke shtuar investimet në linjat e interkoneksionit.
Për rrjedhojë infrastruktura energjetike në rajon është përmirësuar, analizon Instituti për Studime Ekonomike Ndërkombëtare i Vienës, duke qenë disa hapa para sektorëve të tjerë të tilla si Transporti, furnizimi me ujë etj.
Rritja e prodhimit të energjisë ka ndikuar në përmirësimin e bilanceve tregtare kryesisht të Shqipërisë dhe Kosovës, të cilat më parë kishin varësi të lartë nga importet. Gjithashtu bizneset në këto vende kanë ulur vlerësimet negative për furnizimin me energji elektrike si një pengesë në aktivitetin e tyre.
Investimet në sektorin energjisë janë kryesisht nga vendet e BE, por ka edhe prani kineze, por gjithsesi në ketë sektor ajo është më e ulët se në të tjerët.
Shqipëria tërhoqi kryesisht tre investime të mëdha nga BE, që përfaqësohen nga investimi austriak në HEC Ashta, nga investimi norvegjez ne dy HEC-et e tjera të mëdha që kanë përfunduar tre vitet e fundit në lumin Devoll dhe janë realizuar nga kompania Statkraft. Gjithashtu edhe investimi tjetër në gazsjellësin TAP, punimet e të cilit janë drejt fundit.
Në disa vende si Serbia dhe Bosnja kapacitetet e reja të prodhimit të energjisë janë të diskutueshme nga pikëpamja mjedisore, por në Shqipëri kanë tentuar 100 energji të pastër, vlerëson raporti.
Investimet e reja në energjetikë janë shoqëruar me kosto mjedisore. Shtrirja e investimeve me HEC-në të gjitha rrjedhat e lumenjve ballkanikë rrezikon të zhdukë me kilometra rrjedhash dhe do të dëmtojë përgjithmonë mjedisin.
Në Shqipëri ndërtimi i HEC-ve të vogla vijon të jetë intensiv, teksa qeveria shqiptare nëpërmjet KESH ka vendosur të ndërtojë HEC-in e Skavicës, i cili ndër të tjera është edhe një rregullator që optimizon prodhimin në kaskadën e Drinit./B.H