Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka autorizuar Policinë e Kosovës për mbledhjen e informacioneve për mënyrën se si hyrën në Kosovë vaksinat anti-COVID nga Serbia.
Kjo çështje po hetohet në drejtim të dy veprave penale “Kontrabandimi i mallrave” dhe “Ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike”.
“Ju njoftojmë që pas shkrimeve në media të ndryshme në vend lidhur me futjen e vakcinës anti-covid nga Serbia, Prokuroria Themelore e Mitrovicës ka autorizuar Policinë e Kosovës që të grumbullojë informata për këtë çështje, në drejtim të veprave penale “Kontrabandimi i mallrave” nga neni 311 dhe “Ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike” nga neni 256 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë dhënë Gazetës Express.
Tutje, në përgjigjen e tyre thuhet se hetimet do të nisin “varësisht nga rezultatet e hetimit, nëse vërtetohet që ka prova të mjaftueshme”.
Ndryshe, drejtori i të ashtuquajturës zyrës serbe për Kosovën, Petar Petkoviq, ka deklaruar se Serbia po siguron vaksina për qytetarët e Kosovës, pa përjashtim.
“Koronavirusi nuk e njeh përkatësi etnike, gjë që kuptohet mirë nga Serbia, e cila, sipas rekomandimit të presidentit Aleksandar Vuçiq, përpiqet të sigurojë sasi të mjaftueshme të vaksinave edhe për komunitetet dhe mjediset e tjera në Kosovë”, pretendon Petkoviq në një deklaratë me shkrim.
Teksa shtoi se në mes të pandemisë, Serbia dhuroi njëmijë teste PCR Institutit të Shëndetit Publik të Kosovës.
Petkoviq u shpreh se, “është detyrimi ynë të sigurojmë sasi të mjaftueshme të vaksinave për të gjithë qytetarët, pa përjashtim”.
Serbia ka nisur vaksinimin e qytetarëve serbë në veri, një ditë pasi shteti fqinj pranoi kontigjentin e parë të vaksinave “Pfizer” në masë 4.800 copë.
Sipas presidentit serb Vuçiç, Serbia do të marrë vaksina çdo javë dhe pas personave të moshuar që jetojnë në shtëpitë e kujdesit, vaksinimi do të fillojë edhe për pjesëtarët e stafit shëndetësor.
Kosova nuk ka siguruar akoma vaksina, por ka aplikuar në programin COVAX, i cili u mundëson vendeve të varfra dhe me zhvillim të mesëm të arrijnë te një numër i kufizuar i vaksinave.
Shumë njohës të aktualitetit vaksinimin e serbëve në Kosovë nga Serbia e panë si shkelje të konventave ndërkombëtare.
Se do të hetohet çeshtja e vaksinave e ka konfirmuar dje për Gazetën Express edhe Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi./Gazeta Express/