Shkolla 8-vjeçare e fshatit Samaticë në zonën fushore të Beratit gumëzhin nga nxënësit në oborre, klasa dhe rrugë, duke krijuar një atmosferë e cila është harruar në fshatrat e tjerë të vendit tonë, shumica të braktisura dhe të rrënuara.
Mariglen Ziu, shoqëruesi ynë, një fermer i njohur në zonë, na thotë se ata 10-vjeçarë janë fëmijë të një brezi 40-vjeçarësh që u kthyen nga Greqia pas krizës së vitit 2008 dhe investuan kursimet e emigracionit në serra.
Samatica, Goriçani, Drenovica etj., ndodhen në njësinë administrative të Kutallisë. Fshatrat nuk rrethohen nga pyje dhe fusha si zakonisht, por me serra. Fusha e begatë në brigjet e Semanit është mbjellë intensivisht me kultivarë të serrave, si askund tjetër dhe është baza kryesore e eksporteve bujqësore.
Deri në vitin 2018, sipërfaqet me serrë u shtuan me ritme të shpejta, pasi kushtet e tregut si nga çmimet dhe kostot, të ndihmuara nga politikat mbështetëse, krijuan fitime të kënaqshme për fermerët. Por në tre vitet e fundit, serrat janë kthyer në bixhoz dhe po krijojnë më shumë humbje se sa fitime. Ky sezon do të jetë vendimtar. Nëse shitjet nuk mbulojnë kostot, atëherë falimentet do të jenë masive dhe rrezikojnë përfshirjen e të gjithë zinxhirit bujqësor.
Prej vitit 2021 e në vijim, kushtet e biznesit të serrave u përkeqësuan më tej, fillimisht nga dyfishimi i çmimeve të lëndëve të para, plehra, karburant, mjete për serrat etj., dhe në fillim të vitit 2022, qeveria hoqi stimujt fiskalë për bujqësinë. Norma e kompensimit të prodhuesit bujqësor nga 6% u bë 0%, duke filluar nga ky vit, ndërsa nga 2019-a ishte ulur nga 20 në 6%.
Së dyti, vendosja e TVSH-së 10% të furnizimit të inputeve bujqësore, siç janë plehrat kimike, pesticidet, farat dhe fidanët, përveç hormoneve të klasifikuar në kodet 2937 të Nomenklaturës së Kombinuar të Mallrave, nga 0% që ishin deri në fund të vitit 2021. Të gjithë këto ndryshime ndodhën kur çmimet e prodhimeve sezonin e kaluar ishin më të ulëta se kostot. Shumica e serrave me humbje e kanë transmetuar problematikën në të gjithë zinxhirin bujqësor.
Sipas përllogaritjeve të Ministrisë së Financave në vitin 2018, sektori i bujqësisë, duke përfshirë agropërpunimin, mori mbështetje 12,5 miliardë lekë përmes përjashtimeve. Ndërkohë, skema e re e subvencioneve bashkë me një fond garancie për fermerët, skemën e karburanteve dhe mbështetjen direkte pritet të arrijë gjithsej në 3 miliardë lekë.
Dy vjet, asnjë investim, 20-30% e serrave janë braktisur
Në anën tjetër të kanalit vaditës që shtrihet përgjatë fshatit Samaticë është një prej serrave të braktisura. Për të kaluar kanalin është një urë pesë metra e gjerë që autoritetet vendore e ndërtuan para 4-5 vitesh që të ndihmonin kamionët të ngarkoheshin direkt në serra. Ura është shembulli më i mirë për të vlerësuar efikasitetin e investimeve publike.
E ndërtuar me një zgarë hekuri të hollë sa një laps, 20 milimetër (shiko foton) dhe me shtresë betoni sa një shuplakë, ura është thërrmuar në dy vite, aq sa nuk kuptohet se investimi ka pasur qëllim urë për kamionët. Tani nuk mban më as njerëzit. Në këto kohë, kanali nuk ka ujë dhe kalohet pa frikë mbi zgarën e ndryshkur të urës, ku katër pesë-metra më tej është serra e braktisur, pronë e dy vëllezërve që tashmë kanë emigruar në Itali.
Babai i tyre, një burrë i moshuar, ka frikë nga mediat. Nuk do të ngatërrohet me qeverinë, edhe pse sipas tij, më keq nuk mund të bëhet. Fëmijët e plakut që kishin ikur në Greqi në 18-at e tyre u kthyen në Shqipëri dhe investuan gjithë mundin e jetës.