Sërish sherr për pronat në Kepin e Rodonit, policia shoqëron personat që qëlluan me armë zjarri

0
219

Të shtëna me armë zjarri janë regjistruar këtë mesditë në zonën e Kepit të Rodonit në Durrës. Ka patur një sherr mes dy personave për çështje pronësie dhe më pas është qëlluar edhe me armë zjarri. Fatmirësisht nuk ka të lënduar, ndërsa policia ka shoqëruar dy palët e përfshira në konflikt.

Report Tv raporton se konflikti ka ndodhur mes shtetasit me mbiemër Kaculi, i cili ka një pronë në hyrje të parkut dhe ky i fundit është konfliktuar me rojën e parkut të Kepit të Rodonit. Konflikti sipas burimeve mendohet se ka nisur për shkak të një toke, ku të dyja palët pretendojnë se kanë pjesë në këtë pjesë të tokës e cila është park!

Roja i parkut dhe personi tjetër kanë nisur konfliktin, i cili ka agravuar deri në dhunë fizike, ku palët janë qëlluar me grushte. Më pas, persona të tjerë në mbështetje të rojës së parkut kanë qëlluar me armë zjarri, por nuk ka pasur persona të lënduar.  Prona “mollë e sherrit” ka dy certifikata pronësie, një e ka Kisha Françeskane dhe një tjetër e ka familja Kaçuli.

Personat e tretë të përfshirë në sherr, të njohur si të fortë të zonës, janë persona të cilët janë duke kryer një investim në zonë për turizëm dhe duan të ndërtojnë një mol. Ndërkohë projekti zhvillimor kalon në tokën me dy certifikata pronësie dhe kjo ka çuar në përplasje të ashpër ditën e sotme. Personat që duan të ndërtojnë molin janë përfshirë në sherr në mbrojtje të rojës duke qëlluar me armë zjarri në ajër.

Kjo nuk është hera e parë që ndodh konflikt në këtë zonë mbi këtë çështje, ndërsa policia thotë se kallëzimet janë kryer në prokurori prej disa vitesh. Këta persona janë shoqëruar disa herë. Njësia administrative, prokuroria, bashkia Durrës, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes se Territorit dhe policia kanë qenë në dijeni të situatës konfliktuale, por deri me tani nuk ka pasur asnjë vendim në lidhje me dokumentacionin.